Naftëtarët në rafinerinë e Ballshit po protestojnë, këtë të hënë, përpara uzinës. Ata janë përplasur me forca të shumta policie, të cilët kanë rrethuar uzinën dhe nuk lejojnë naftëtarët që të futen brenda.
Naftëtarët i kanë kërkuar policëve që të mos ushtrojnë dhunë e të mos përplasen me ta, pasi ata kërkojnë vetëm të drejtën e tyre: të marrin pagat e prapambetura.
Një prej naftëtarëve u shpreh:
“I bëjmë thirrje që të hapin derën, ky është vendi ynë i punës, nuk kemi gjë me policinë. Ne duhet të marrim atë që na takon, uzinën le ta çojnë për skrap po të duan. Edhe ne kemi fëmijë dhe duam atë që na takon.”
Të premten, naftëtarët lajmëruan se i kishin lënë afat deri në 14 shtator kompanisë ‘Allun’, që menaxhon rafinerinë, për të paguar pagat e prapambetura dhe për të rinisur punën.
Në një protestë të premten, naftëtarët u shprehen se të hënën, 14 shtator rinis mësimi dhe ata nuk munden të paguajnë shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tyre, pasi prej 10 muajsh nuk marrin asnjë pagë.
Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj deklaroi se përfaqësuesit e kompanisë janë zhdukur, megjithsë një javë më parë ata premtuan se do të nënshkruanin kontratat e reja të punës dhe do të paguanin pagat e prapambetura.