Nashi Shehapi, e akuzuara se abuzoi ndaj trevjeçarit, shpallet e pafajshme

Nga Alice Elizabeth Taylor
Nashi Shehapi, e akuzuara se abuzoi ndaj trevjeçarit, shpallet e pafajshme

Në gusht të vitit 2018, një djalë 3-vjeçar tregoi se drejtoresha e kopshtit Nashi Shehapi kishte abuzuar me të, e kishte rrahur dhe e kishte mbylluar atë në një skutë poshtë shkallëve, brenda kopshtit.

Pas gati tre orësh marrjesh në pyetje me psikologët, një raporti mjekësor, që tregonte se plagët në trupin e fëmijës ishin shkaktuar nga një i rritur dhe pas deklaratës së përsëritur të fëmijës, se Shehapi ishte ajo që kishte abuzuar me të, shpresohej që çështja të zgjidhej me shpejtësi nga gjykatat. Gjashtë muaj pasi dosja ishte në duart e prokurores Eriselda Bala, vetëm sot ajo kontaktoi prindërit për t’i informuar se çështja nuk do të dërgohej në gjykatë.

Duke deklaruar se fëmija 3-vjeçar gjatë denoncimit akuzonte një fëmijë tjetër dhe jo drejtoreshën Shehapi, prokurorja Bala tha se nuk ka prova të mjaftueshme për ta çuar çështjen në gjykatë.

Fëmija që përmend 3-vjeçari i abuzuar kur merret në pyetje nga psikologia, së cilës i thotë se ka qenë Shehapi ajo që e ka abuzuar, nuk ka qenë fare i pranishëm në kopsht. Përveç kësaj, duket se ky fëmijë nuk është marrë në pyetje për të provuar vërtetësinë e përmendjes së emrit të tij.

Së dyti, intervista në prani të psikologëve, pothuajse tre orë, gjatë së cilës viktima vazhdimisht e quante Nashi Shehapin si dhunuesen e tij, dhe tregonte se si ajo e kishte mbyllur në një dollap, ishte përmbledhur vetëm në pesë rreshta të shkurtra në raportin e psikologes. Shumica e informacionit kyç u la jashtë, përfshirë dhe fjalët e fëmijës se drejtoresha duhet të shkojë në burg, si dhe elementë të tjerë të abuzimit. Pesë rreshtat e tekstit përfundojnë më pas me fëmijën që, me sa duket, paska thënë “Nuk kam asgjë për të shtuar” – fjalë të pamendueshme këto për një fëmijë trevjeçar.

Për më tepër, Nashi Shehapi, në abuzim të postit të saj, vendosi të mbledhë firma nga të njohur, për të “provuar” se ajo nuk ishte fajtore për këto akuza. Pavarësisht nga marrja e disa ankesave nga punonjës të ndryshëm dhe prindër të shkollës, të cilët pranuan se ajo abuzonte ndaj fëmijëve dhe të rriturve, personat në vijim firmosën për të shpallur pafajësinë e saj.

– Blerta Balla Zajmi – një punonjëse e kopshtit, që nuk kishte kontakt të vazhdueshëm me fëmijën në fjalë.

– Minush Krasniqi- një roje nate, me një fëmijë në kopësht, i cili nuk është në grupin e djalit të abuzuar.

– Haki Dulla- mik i Minush Krasiniqit, nuk ka fëmijë në kopsht.

Jorida Sotiri – një punonjëse në Inspektoratin Shtetor të Punës dhe Shërbimeve Sociale. Ajo nënshkroi deklaratën, duke deklaruar se ajo ishte drejtuesja e grupit të prindërve, por ne mundëm të zbulojmë se kjo është një gënjeshtër dhe se ajo gënjeu qëllimisht në deklaratën e saj ligjore.

Këta individë, me pak ose aspak lidhje me fëmijën e dhunuar, nënshkruan një dokument sipas së cilit Nashi Shehapi është e pafajshme, pavarësisht faktit se ata nuk kishin qenë të pranishëm ose nuk kishin fëmijë në grupin e djalit. Nuk kishte asnjë mundësi që roja i natës ta dinte se çfarë po ndodhte gjatë klasës, ashtu siç nuk mund ta dinte as punonjësja e qeverisë, që gënjeu kur deklaroi se ajo është pjesë e grupit të prindërve.

Çdokush do të mendonte se një prokurore e zonja, kompetente në punën e saj, do të hetonte mbi personat që kanë firmosur se Nashi Shehapi është e pafajshme.

Është e qartë tashmë se prokurorja Bala- përveçse pengoi qëllimisht procesin, si dhe e vonoi atë për më shumë se gjashtë muaj, nuk është kompetente për të kryer punën e saj. Kushdo që ka pak përvojë apo kompetencë ligjore mund ta thotë qartësisht se provat e siguruara nuk janë të mjaftueshme për të pushuar çështjen.

Ndërsa Nashi Shehapi dhe familja e saj, përfshirë Keirën, vajzën e saj që më kërcënoi përmes Facebook-ut, mund të mendojnë se kjo çështje ka mbaruar, mund t’ju them vetëm se ky është vetëm fillimi, dhe se ne do të shterojmë çdo rrugë ligjore që mund të përdorim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>