NATO gati të ftojë Maqedoninë për t’u anëtarësuar

NATO gati të ftojë Maqedoninë për t’u anëtarësuar

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u shpreh se aleanca euroatlantike është gati ta ftojë Maqedoninë që të anëtarësohet sapo çështja e emrit me Greqinë të zgjidhet.

Jens Stoltenberg tha se pavarësisht kundërshtimit të Rusisë ndaj zgjerimit të aleancës ushtarake, “dyert e NATO-s mbeten të hapura”.

“Kam vizituar Shkupin dhe e kam bërë të qartë se NATO është ende e angazhuar për atë që tha në Samitin e vitit 2008 në Bukuresht, se ne jemi të gatshëm ta ftojmë Maqedoninë të bëhet anëtar i NATO-s sapo të zgjidhet çështja e emrit të saj. Bisedimet dhe negociatat për emrin janë në vazhdim e shpresoj që të përfundojnë me sukses, dhe pastaj do të ecim përpara “, tha Stoltenberg.

I pyetur për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në procesin e pranimit të Maqedonisë në NATO, Stoltenberg tha në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut se është e drejta themelore e çdo kombi të vendosë për rrugën e vet dhe t’i përkasë një kornize të caktuar sigurie.

“Rusia ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s për vite me radhë dhe pothuajse gjithnjë ka protestuar kur fitojmë një anëtar të ri, por fakti është se dera e NATO-s është e hapur dhe nëse NATO do të fitojë një anëtar të ri i takon atij vendi të vendosë nëse dëshiron të bashkohet. Askush tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë ose të parandalojë këtë proces, “përfundoi Stoltenberg.

Bisedimet mes Greqisë dhe Maqedonisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes 25-vjeçare mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin e kësaj të fundit, po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e OKB-së.

Deri më tani është hartuar dhe një listë me me disa propozime konkrete për emrin e Maqedonisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>