
Zyrtarisht aeroporti i Rinasit nuk do të ketë më asnjë fluturim pas mbasditës së 28 marsit.
Vendimi i Turqisë për të anuluar të gjithë fluturimet ndërkombëtare të linjës Turkish Airlines ka prekur dhe Shqipërinë dhe kompaninë Air Albania, pasi ajo operohet nga Turkish Airlines dhe fluturon nën numrat e fluturimit të Turkish Airlines.
Exit News kontaktoi me zyrat e Air Albanias, të cilët konfirmuan se fluturimi i fundit Stamboll-Tiranë do të jetë ai i 28 marsit, që niset në orën 16:00 me orën lokale të Turqisë. Pas këtij fluturimi, do të anulohen të gjitha fluturimet e tjera me Turqinë.
Që prej 10 marsit, kur qeveria anuloi një pjesë të madhe të fluturimeve, kompania Air Albania uli numrin e fluturimeve me Stambollin.
Javën e fundit, Air Albania ishte e vetmja kompani ende funksionale në aeroportin e Rinasit dhe bënte vetëm një fluturim në ditë Stamboll-Tiranë.