Indeksi i Baselit – Shqipëria ndër dy shtetet më të rrezikuara në Europë nga pastrimi i parave të pista

Nga Exit News
Indeksi i Baselit – Shqipëria ndër dy shtetet më të rrezikuara në Europë nga pastrimi i parave të pista

Shqipëria renditet si një ndër dy vendet më të rrezikuara nga pastrimi i parave të pista në Europë.

Indeksi i Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, publikuar nga Instituti i Baselit,  e rendit Shqipërinë të dytë në Europë, duke lënë si vend me më shumë rrezik nga pastrimi i parave vetëm Turqinë.

Mes 141 vendeve në gjithë botën që vëzhgon indeksi, Shqipëria renditet në vend të 44-t për rrezikun ndaj pastrimit të parave të krimit.

Shqipëria është vlerësuar me 5,69 pikë, në një sistem vlerësimi nga nga 0 (risk i ulët) deri në 10 (risk i lartë).

Krahasuar me një vit më parë, kur Shqipëria u vlerësua me 6 pikë, shihet një përmirësim i vogël, por në raportin e 2019-ës, Shqipëria ishte mes 4 vendeve (Serbi, Turqi, Ukrainë) më të rrezikuara në Europë, ndërsa tani është mes dy vendeve.

Kjo tregon se me gjithë përmirësimin e lehtë të Shqipërisë vendet e tjera të rajonit, Serbia dhe Ukraina janë përmirësuar më shumë.

Vendi ynë renditet mbi mesataren e botërore të nivelit të riskut që paraqet një vend për pastrimin e parave të pista – 5.22 pikë.

Në Europë shtetet me rrezikun më të lartë janë Turqia, Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina, ndërsa shtetet më pak të rrezikuara janë Estonia, Finlanda dhe Bulgaria. Në Ballkanin Perëndimor, vendi më pa i rrezikuar është Mali i Zi, i cili vlerësohet me 3,75 pikë.

Në nivel botëror, Estonia, Andorra dhe Finlanda dhe janë shtetet më pak të rrezikuara nga pastrimi i parave, ndërsa më të rrezikuarat janë Afganistani, Haiti dhe Mianmari.

Indeksi i Institutit të Baselit për pastrimin e parave mat rrezikun e pastrimit të parave dhe financimin e vendeve terroriste bazuar në burimet publike të një vendi.

Indeksi mat 15 tregues si kuadri ligjor për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, korrupsioni, standarti financiar, transparenca politike dhe zbatimi i ligjit.

Duke qënë se nuk ka të dhënat kuantitative, Indeksi i Baselit nuk mat eksistencën aktuale të aktivitetit të pastrimit të parave ose sasinë e parave të pista të ndodhura në vend, por tregon vetëm nivelin e rrezikut ose dobësinë e një vendi për të shërbyer si vend për pastrimin e parave të pista dhe financimin e terrorizmit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>