Edhe pse kanë kaluar 2 vite nga përurimi i sheshit Skënderbej, Bashkia Tiranë vazhdon të zhvillojë punime në qendër. Ndërhyrja e fundit nisi më 23 shkurt duke shembur një hotel dhe dy lokale në anë të Operas. Kryebashkiaku Veliaj tha shkurtimisht se aty do të ndërtohej një “stacion autobusi”, por pa specifikuar detaje të projektit në fjalë apo publikuar ndonje tabelë informuese.
E vërteta është se Bashkia po kërkon të fshehë përpjekjen e saj për të ndrequr pasojat e krijuara në transportin urban të shkaktuara nga kthimi i sheshit në pedonale. Madje Bashkia po ndryshon edhe projektin e sheshit Skenderbej — në projektin e vitit 2016 të studios 51n4e Hotel Vjosa dhe tre ndërtesat e tjera nuk do të prisheshin.
Por, “rikualifikimi urban” i sheshit Skënderbej e ka zhvendosur qarkullimin e të gjitha linjave të autobuzave që kalonin në qendër. Tani nga bllokimi i qendrës, ato duhet të kalojnë përqark sheshit, përmes të ashtuquajturës “Unazë të Vogël”.
Nga 15 linja urbane, vetëm linja e Unazës nuk kalon në këtë rrugë. 14 linja të transportit urban të Tiranës dhe 2 ndërqytetase (Vorë, Rinas) bëjnë tashmë rrotullim në një pjesë të “Unazës së Vogël” duke ndarë vendqëndrime dhe stacionet me njëra-tjetrën.
Një studim i vitit të kaluar i kryer nga “portavendore.al”, nxorri në dukje se në 31 përqind të rasteve autobusët hapnin derën jo në stacion, por në mes të rrugës dhe se këtë praktikë e ndiqnin të paktën 10 linja që kalonin në qendër duke shkaktuar trafik.
Ndërkohë qarkullimi i shumë linjave në të njëjtat segmente rrugore dhe përdorimi i të njëjtave stacione bën që shpesh urbanët të mos ndalojnë saktë në to. Në 44 përqind të rasteve kur autobusët nuk parkojnë siç duhet në vendqëndrime, sipas studimit shkaktarë janë autobusët e tjerë.
Ndërkohë vetë “Unaza e Vogël” nuk është e plotë. Segmenti jug-lindor, rruga Murat Toptani ka mbetur pedonale, ç’ka i detyron autobuzat të kthehen dhe të marrin për në veri duke kaluar nga rruga Abdi Toptani përkrah Bashkisë së Tiranës.
Vështirësitë në lëvizje, numri i madh i autobusëve që kalojnë në të njëjtën rrugë, trafiku dhe stacionet jashtë standardit kanë qenë vazhdimisht problematikat kryesore të shërbimit të transportit urban në qendër, kjo që pas kthimit të sheshit Skënderbej në pedonale. Projekti i sheshit nuk parashikoi asgjë për të parandaluar një situatë të tillë, përkundrazi.
Linja si për shembull ajo e Porcelanit, Linzës apo Tufinës, me stacion fundor qendrën, u zhvendosën nga rruga “28 Nëntori” (pranë Sahatit) në pjesën e mbetur të rrugës “Luigj Gurakuqi” (paralel me Bibliotekën Kombëtare) pasi në këtë hapësirë (sipas një nga lotet e sheshit Skënderbej) u ndërtua lulishte.
Linja e Kamzës u spostua nga Rruga e Durrësit, te rruga pas Operës aty ku kanë stacionin fundor edhe linja e Kasharit dhe Megatekut. Gjithashtu Linza dhe një linjë për në Rinas.
Pas Muzeut stacionon linja Tiranë-Vorë. Në këto zona kthimi dhe rrotullimi i autobusëve nuk është praktikë dhe konform rregullave të qarkullimit rrugor.
Linjat që kalojnë në “Unazën e Vogël” në qendër janë:
Ish Kombinati i Autotraktorëve-Institut; Ish Stacioni i Trenit-Qendër-Sauk i Ri/Sauk i Vjetër/Sanatorium-Teg; Kashar-Yzberisht-Qendër; Kinostudio-Kombinat; Laprakë; Marteniteti i Ri-Qendër-Ish Fusha e Aviacionit dhe Qendër-Mihal Grameno-Qendër; Porcelan; Qendër-QTU-Megatek-City Park; Qyteti Studenti-Jordan Misja; Selitë-Kristal-Qendër-Stacioni i Trenit-Allias; Teg-Sauk i Vjetër-Kopshti Zoologjik-Ish Stacioni i Trenit; Tirana e Re; Tufinë; Uzina Dinamo e Re-Sharrë dhe 5 Maji-Sharrë; Tiranë-Vorë; Tiranë-Rinas
Situata kaotike është krijuar sepse projekti i sheshit të ri nuk mori aspak në konsideratë qarkullimin e automjeteve e sidomos transportit urban, pavarësisht ankesave të vazhdueshme të qytetarëve.
Për të ndrequr këtë problem në 2016, Bashkia Tiranë ndërtojë “Unazën e Vogël”. Por, Bashkia pavarësisht deklaratave të vazhdueshme se ky segment do të përballonte fluksin nuk parashikojë asnjë korsi të dedikuar për transportin urban dhe asnjë stacion nuk është i përshtatshëm për më shumë se 2 linja.
Tani, me stacionin e ri, Bashkia Tiranë duket se po “arnon” projektin e sheshit duke u munduar të rregullojë së paku stacionin fundor për disa nga 16 linjat që përdorin “Unazën e Vogël”.
Por pavarësisht kësaj dhe përpjekjes për ta shfaqur situatën sa më pak kaotike (si për shembull në aplikacionin TiranaIme, ku harta e transportit urban mbetet ende me planin e para vitit 2016) problemet duket se do të vazhdojnë të jenë të njëjtat — pasi stacionet do jenë po ato dhe rruga që këto linja do të përshkrojnë rreth qendrës do jetë po e njëjta. Gjysmëunaza e Vogël.
— Gerard Gega