“Sot Shqipëria është në udhëkryq, ku pushteti grabit votat, shkel liritë dhe të drejtat e njerëzve duke e kthyer popullin në rob të keqqeverisjes”.
Edhe pse duket sikur ka dalë sot nga goja e Lulzim Bashës, bëhet fjalë për deklaratën e Edi Ramës në 1 maj të vitit 2010, ditën kur 22 deputetë të PS (atëherë në opozitë) nisën një grevë urie përballë godinës së kryeministrisë.
Asokohe, me vendim unanim, Asambleja e PS-së vendosi të bojkotojë pa afat dhe parlamentin, duke vënë në dyshim edhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme lokale, gjë që nuk u prit aspak mirë nga ndërkombëtarët. Ja se si reagonte Departamenti amerikan i Shtetit, nëpërmjet Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit Thomas Countryman, më 9 shkurt 2011:
“Nuk është gjë e zgjuar bojkoti i zgjedhjeve. Shqipëria nuk është i vetmi vend europian ku protestat përfundojnë me dhunë. Gjej rastin të shpreh pakënaqësinë që opozita dhe mazhoranca nuk kanë gjetur gjuhën për të trajtuar problemin e zgjedhjeve.”
Po kaq e ashpër ka qenë dhe gjuha e europianëve. Ja se ç’deklaronte në 3 shkurt të vitit 2010 Presidenti i Bundestagut gjerman Norbert Lammert për bojkotin e opozitës:
“Duke qenë se në sistemet demokratike roli i parlamenteve është i një rëndësie tejet të madhe, sigurisht që nuk është një ide e mirë bojkotimi i parlamentit, nuk ka rëndësi se me çfarë argumentimi, dhe sigurisht që kjo ide e bojkotimit nuk përmirëson cilësinë e vet edhe nëse bazohet në precedentë të mëparshëm.”
Edhe më i ashpër, pak muaj më vonë, ka qenë qëndrimi i OSBE-së për bojkotin parlamentar. Ja se ç’shkruhej në deklaratën e shtatorit 2011:
“Duke bojkotuar, opozita nuk kreu detyrën kushtetuese dhe nuk bashkëpunoi për reformat. Me gjithë thirrjet e përsëritura ndërkombëtare për t’iu rikthyer pa kushte Kuvendit, mospranimi i PS-së për ta bërë këtë kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për të vazhduar reformat.”
Bojkoti klasifikohet indirekt si mosplotësim i detyrave kushtetuese “për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur, për zgjedhjet për qeverinë vendore […]”.
Duket se ndërkombëtarët janë të kursyer në fantazinë për të ndryshuar gjuhën e komunikimit me partitë politike shqiptare kur bëhet fjalë për bojkot. Qëndrimet ngjajnë si dy pika uji edhe pse djegia e mandateve nga deputetët e opozitës është një akt i pandodhur më parë në historinë e politikës shqiptare.
Sa më lart, lë të kuptohet se të vetmet raste kur ndërkombëtarët reagojnë seriozisht për zhvillimet në Shqipëri janë vendimet ekstreme të partive politike apo dhuna e shfaqur në protestat popullore. Në asnjë rast më herët nuk ka ndodhur që reagimet e ndërkombëtarëve të çdo lloji të kenë qenë në mbështetje të opozitës, që ka nxitur prishjen e stabiliteteve false që kanë mbizotëruar herë pas here në politikën shqiptare.
Askush në Europë apo në SHBA nuk ka dëshirë të investohet në një demokraci të pazhvilluar si ajo e Shqipërisë, ku ambasadorët herë pas here mbyllin një sy për problemet që ndodhin, për të mos “hapur probleme” që mund të zgjidhen me stafin lokal. Por këtë herë, vendimi ekstrem i opozitës, përtej deklaratave standard të ngjashme me ato më lart, pa dyshim që do të sjellë dhe zhvillime të reja dhe reagime më të forta nga ndërkombëtarët, që bashkë me ndryshimin e gjuhës së deklaratave (siç ka ndodhur rëndom) do të ndërhyjnë për t’i dhënë zgjidhje krizës më të fundit në Shqipëri. Krizë që, gjithsesi, tashmë edhe ligjërisht e ka të pamundur rikthimin normal të funksionit të parlamentit.
Këtu gjendet intervista e vitit 2010 e Edi Ramës për Zërin e Amerikës.
Ky artikull u publikua me parë në Lapsi.al.