Ndërkombëtarët të gjithë në një zë: Opozita të lërë rrugën e dhunës dhe të nisë dialogun

Ndërkombëtarët të gjithë në një zë: Opozita të lërë rrugën e dhunës dhe të nisë dialogun

Dje, ambasada Gjermane, Hollandeze, Britanike, e SHBA-ve, përfaqësuesit e OSBE-së dhe përfaqësuesit e CDU/CSU në Bundestag i kërkuan opozitës të lërë rrugën e dhunës dhe të nisë dialogun me qeverinë. Ky reagimi erdhi pas hedhjes së shashkave dhe molotovit nga ana e protestuesve drejt godinës së Kryeministrisë, të cilës policia ju përgjigj në mënyrë të shpërpjestuar me hedhjen e gazit lotsjellës dhe ushtrimin e dhunës ndaj përfaqësuesve të lartë të opozitës.

Ambasada Hollandeze 

“Në pritje të protestës së lajmëruar nga opozita për sonte, ne ju bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politike dhe institucionale të tregojnë përgjegjshmëri dhe vetëpërmbajtje”.

Ambasada Gjermane

“ [..]Shfaqje të dhunës, sikurse ishin ato që pamë në datën 11.05., janë tërësisht të papranueshme dhe të papajtueshme me këtë parim. Për këtë arsye ne dënojmë maksimalisht dhunën e çdo lloji. [..] Protestat në rrugë nuk zëvendësojnë dialogun e domosdoshëm politik! Ndaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve, që në funksion të përafrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian kundërshtitë në qëndrime t‘i zgjidhin në kuadër të një dialogu politik konstruktiv”.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar

“[..]Protestat duhet të jenë paqësore. Ne dënojmë dhunën që u zhvillua gjatë protestës së 11 majit nga e cila u plagosën si policë dhe protestues dhe shkaktoi dëme në pronë.

Ne u kërkojmë liderëve të opozitës të dënojnë dhunën dhe të sigurojnë që protestat që ata mbajnë të jenë paqësore dhe të mbahen në përputhje me ligjin. Ne gjithashtu kërkojmë që policia të tregojë përmbajtje dhe të respektojë sundimin e ligjit që ata mbështesin. [..]

Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të hyjnë në dialog, e cila është mënyra e vetme në të cilën ngërçi tanishëm mund të zgjidhet. Dhuna dhe retorika nuk janë përgjigje.”

OSBE

Përfaqësuesit e lartë të OSBE-së si, Kryetari Miroslav Lajçák, Sekretari i Përgjithshëm Tomas Greminger, Kryetari i Asamblesë Parlamentare George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë parlamentare Roberto Montella dënuan dhunën dhe kërkuan dialog ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Në një njoftim për shtyp ata thanë se:

“Ne i bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë dhe qytetarëve të Shqipërisë që të tregojnë përgjegjësi, të demonstrojnë në mënyrë paqësore dhe të veprojnë me përmbajtje. [..] Një përshkallëzim i krizës në mënyrë do të pengonte përparësitë strategjike të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ka ardhur koha për të hartuar një platformë të brendshme për dialog [..].”

Përfaqësuesit e CDU/CSU në Bundestag

Në një deklaratë të përbashkët, Deutsche Welle-s të hënën pasdite në Berlin, përfaqësuesit e CDU/CSU në Bundestag, deputetët Johann David Wadephul (CDU), si edhe raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Bundestagut për Çështje të Jashtme, Christian Schmidt (CSU), u shprehën se “Dhuna nuk mund të tolerohet aspak si mjet politik” dhe kërkuan që “Qeveria dhe opozita tani duhet të hyjnë në dialog urgjentisht dhe pa asnjë parakusht dhe të jenë të gatshme për kompromise”.

“Ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë menjëherë, janë duke e çuar veten drejt izolimit politik. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në kapërcimin e krizës”, mbyllet deklarata e dy politikanëve gjermanë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>