Ndërtesa e Teatrit: dyshime për favorizimin e një konsorciumi Fusha shpk-Albstar shpk

Ndërtesa e Teatrit: dyshime për favorizimin e një konsorciumi Fusha shpk-Albstar shpk

Javën e shkuar, Bashkia Tiranë hapi tenderin për projektimin dhe ndërtimin e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës përqark tij. Ajo u ka lënë kompanive të interesuara afat deri më datën 19 shtator 2019 për të paraqitur ofertat e tyre.

Sikurse dihet qeveria po e bën zhvillimin e zonës me anë të një ligji të posaçëm, miratuar në dhjetor 2018, i cili, sikurse kemi argumentuar më parë dhunon Kushtetutën dhe një sërë ligjesh organike.

Fillimisht ligji i posaçëm—i cili u amendua në variantin e tanishëm, pas trysnisë të BE-së dhe mos dekretimit nga Presidenti—kishte paracaktuar kompaninë zhvilluese, Fusha shpk, një nga klientët kryesorë të qeverisë Rama.

Duke qenë se procedura e sajuar nga qeveria është e paprecedentë dhe e paparashikuar në asnjë ligj apo standard publik—përfshihet shkëmbim në natyrë, me procedura krejt të paqarta, dhe ndërtime objektesh private dhe publike në të njejtin propozim—termat e referencës së shpallura janë të ngatërruara, të paqarta dhe krejtësisht kufizuese për konkurencën.

Një nga kriteret kryesore kualifikuese është “realizimi i projekteve të ngjashme gjatë pesë viteve të fundit, shumatorja e të cilave të jetë jo më pak se 40 për qind e sasisë ndërtimore (m2) totale të ofertuar” në këtë tender.

Ky kriter është arbitrar, i papërcaktuar mirë dhe lehtësisht i abuzueshëm. Zhvilluesi duhet të ndërtojë dy lloje objektesh: një social kultutor, ndërtesën e teatrit; dhe një kompleks privat tregtar-rezidencial.

Nëse “projekte të ngjashme” intepretohet në kuptimin më të ngushtë, ka vetëm një projekt të ngjashëm si ky i teatrit, projekti i stadiumit kombëtar, në të cilin njësoj u dha tokë publike për ndërtimin e një objekti publik dhe një kompleksi privat rezidencial tregtar. Në këtë kuptim ka vetëm një kompani që mund të kualifikohet është kompania Albstar shpk, zhvilluesja e kompleksit sportiv, rezidencial dhe tregtar të stadiumit të ri.

Nëse “projekte të ngjashme” interpretohet pak më gjërë në kuptimin e objekteve social-kulturore, numri i kompanive do të rritej në 4-5 firma që kanë fituar tendera publikë për ndërtime social-kulturore. Kompanitë kryesore janë ato që janë përfshirë në ndërtimin e stadiumit kombëtar, Parkut Olimpik, apo, në një interpretim më të gjërë, edhe ato që kanë rindërtuar ndërtesën e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe të Teatrit ‘Art Turbina’.

Në këtë listë bëjnë pjesë Albstar (stadiumi kombëtar), Agikons (Teatri i Operës dhe Baletit), Edil-al (Teatri i Operës e Baletit dhe Art Turbina) dhe Eurocol (Parku Olimpik). Mund te hyjë edhe Fusha shpk, e cila së fundmi ka marrë përsipër rindërtimin e ndërtesës së Universitetit të Arteve.

Nëse “objekte të ngjashme” do të interpretohej në kuptimin më të gjërë, të objekteve ndërtimore pavarësisht natyrës në tender do të kualifikohej çdo kompani që ka ndërtuar volume të mëdha ndërtimore rezidenciale dhe tregtare.

Por kriteri më kufizues është ai që kërkon që kompanitë konkuruese duhet të jenë pronare ose të kenë marrëveshje zhvillimi për 40 për qind të sipërfaqes së tokës private të përfshirë në projektin zhvillues.

Teorikisht vetëm dy kompani mund të arrijnë një marrëveshje të tillë duke qenë se totali lejon vetëm dy pjesë 40 për qindëshe, duke qenë se marrëveshjet e tilla janë ekskluzive. Ky kriter e ul konkurencën teorikisht në vetëm në dy ofertues.

Toka publike dhe private që është përcaktuar si parcelë ndërtimi ka sipërfaqe totale prej 9768 m2 , nga të cilat 8465 m2 janë tokë publike dhe 1303 m2 katrorë janë private.

Sipas kriterit të botuar, që të konkurosh duhet të kesh në pronësi ose të kesh marrëveshje zhvillimi për mbi 522 m2 truall.

Dihet se kompania pronare kufitare me tokën e teatrit është Fusha shpk, e cila zotëron 289,1 metra katrorë dhe ka qenë në negociata me pronarët e tjerë për të blerë sipërfaqe shtesë.

Ky fakt i jep përparësi Fushës, por gjithashtu e kufizon teorikisht në vetëm 1 numrin e pjesëmarrësve të mundshëm në garë, nëse Fusha shpk vendos të mos përfshihet—Fusha ka rreth 23 për qind të sipërfaqes private, duke lënë vetëm rreth 67 për qind për konkurentët e tjerë potencialë, që do të thotë se ka vend vetëm për 1 kompani të arrijë marrëveshje zhvillimi për të paktën 40 për qind të pronësisë (do duheshin minimalisht 80 për qind të lira për të lënë hapësirë për dy konkuente, pa Fushën).

Nisur nga këto dy kritere kualifikuese mund të hamendësohet se në konkurim do të ketë dy oferta, njëra nga të cilat do të jetë Fusha shpk ose vetëm një ofertë, përfshi mundësinë që kjo të jetë vetëm Fusha shpk.

Madje në një vlerësim strikt të kritereve ka vetëm një mundësi konkurimi: një konsorcium Fusha shpk dhe Albstar shpk.

Në të vërtetë, nisur nga marrëdhëniet preferenciale në kufijtë e klientelizmit të këtyre dy kompanive me Kryeministrin Rama, për të cilin ne kemi shkruar disa herë, Exit.al parashikon se ky do të jetë i vetmi konkurent në garën për teatrin kombëtar: Fusha shpk-Albstar shpk.

Nëse analizohen më tej kriteret e vlerësimit të ofertave është e qartë se ato janë subjektive dhe i japin vlerësuesve liri të plotë të vendosin sipas opinioneve, gjykimeve të tyre subjektive, pa asnjë mjet apo metodë objektive matëse të nivelit të përmbushjes së kritereve nga konkurentët.

Sipas kritereve të bërë publike, 70 për qind e vlerësimit të propozimeve do të bëhet mbi kritere teknike. Një lexim shkarazi i këtyre kritereve dëshmon subjektivitetin e skajshëm të vlerësimit. Për shembull, marrëdhënia me kontekstin urban dhe hapësirën publike; marrëdhënia mes hapësirave të jashtme dhe hapësirave të brendshme; organizimi i brendshëm dhe orientimi i hapësirave të brendshme; etj.

Por një kriter tjetër i rëndësishëm—i cili nuk është artikuluar si i tillë, por nënkuptohet nga kriteret e vlerësimit—do të ketë ndikim direkt në konkurencë si në kuptimin përmbushjes së tij për të marrë pjesë në garë ashtu edhe në cilësinë e ofertës.

Praktikisht, konkuruesit duhet të kenë një projekt ide të detajuar në konkurim. Për të arritur këtë gjë, konkurentëve potencialë u është lënë rreth dy muaj nga të cilat një muaj e gjysëm janë në korrik dhe në gusht, periudhë kryesisht pushimesh. Përveç hartimit të projekt-idesë, konkurentëve do t’u duhet që të negociojnë dhe arrijnë në marrëveshje me pronarët mbi këtë projekt-ide.

Ndërkohë, dihet se Fusha shpk ka një projekt të gatshëm të përgatitur në përpjekjen e parë të qeverisë për t’ja dhënë asaj zhvillimin e zonës, projekt i cili është lëvduar, mburrur dhe vlerësuar në maksimum nga Kryebashkiaku Veliaj dhe Kryeministri Rama, vartësit e të cilëve do të ulen në komisonin e vlerësimit.

Kjo do të thotë që nga afatet e përcaktuara, nga koha e zhvilimit të tenderit, nga e shkruara e projektit, nga kriteret e vlerësimit, Fusha shpk ka përparësi të madhe mbi çdo firmë tjetër potenciale.

Kjo të bën të dyshosh se gara është thjesht një përpjekje sipërfaqësore për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare të konkurencës, por ajo është ndërtuar me qëllimin për të arritur atë që nuk u arrit dot, përpjekjen e parë të qeverisë dhe Kryeministrit Rama: zhvillimin e zonës rreth teatrit në një marrëveshje ekstraligjore dhe institucionale me kompaninë Fusha shpk.

Ndryshimi i vetëm, këtë herë, mund të jetë që në vend të vetëm firmës Fusha shpk mund të kemi një konsorcium të saj me Albstar shpk.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>