Godina që Erion Veliaj shembi në sheshin Italia të premten, duhej të ishte shembur që vite më parë sepse ishte në shkelje të ligjit, por pavarësisht kësaj dhe faktit se mbi të binte projekti i rindërtimit të sheshit, ajo rezultoi se ishte legalizuar.
Vitet e fundit protesta të shumta kanë shoqëruar zhvillimet e infrastrukturës urbane në Tiranë.
Qeveria ka refuzuar shpesh legalizimet e banesave të qytetarëve me arsyen se mbi to bien projekte publike dhe nuk ka pse “xhepat e taksapaguesve të rëndohen me dëmshpërblimin e veprimtarisë së jashtligjshme të tyre”.
Mirëpo rasti i godinës katër katëshe te sheshi Italia është shembulli konkret se si qeveria dhe Bashkia sillen selektivisht me legalizimet dhe shpronësimet.
Si u ndërtua godina te sheshi Italia
Mes viteve ’90 Komisioni i Kthimit të Pronave i dha çuditërisht Shpëtim Damës një truall prej 348 metrash katror në sheshin Italia pranë stadiumit Qemal Stafa, sot Arena Kombëtare.
Më 24 maj dhe 13 qershor të vitit 2002, Edi Rama, asokohe Kryetar Bashkie i miratoi Damës lejen e ndërtimit për një “kompleks rekreativ 3 katësh”.
Kjo leje u dha edhe pse binte ndesh me Vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2000 që e shpallte zonën pjesë të “Ansamblit Monument Kulture”.
Sipërfaqja e sheshit të ndërtimit ishte 348 metra katror dhe ajo e shfrytëzimit 290 metër katror.
Por një vit më vonë, më 7 maj 2003, Kryeministri Fatos Nano e shfuqizoi këtë leje.
Ky shfuqizim u ndoq me një seri gjyqesh në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Në vitin 2007, Dama e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese e cila rrëzoi vendimet e Gjykatës së Rrethit, Apelit dhe Gjykatës së Lartë me gjykimin se ato kishin anashkaluar mundësinë e shpronësimit dhe kjo e riktheu sërish çështjen nga e para.
Në Gjykatën e Rrethit dhe në atë të Apelit në vitin 2009, Dama mori vendime pozitive dhe për këtë nisi punimet pak muaj më vonë.
Maks Velo e Artan Lame – Shekulli: Një gabim i rëndë urbanistik; Gazeta Shqip: Ka edhe më! – denoncuan mënyrën se si ishte marrë prona dhe se si ky objekt, edhe pse në abuzim, ishte lënë të ndërtohej.
Për denoncimin që kishte bërë në gazetë, Maks Velo u dhunua fizikisht nga Shpëtim Dama duke trazuar ndjeshëm opinionin publik.
Ndërkohë punimet qenë bllokuar edhe një herë për t’u zhbllokuar pas një tjetër serie gjyqesh që do të mbyllej në janar të vitit 2014.
Shpëtim Dama e vazhdoi ndërtimin dhe godina njohu në fund si pronarë krahas tij, dy vëllezërit Arben e Engjëll Burimi dhe Dorjan Leknikajn.
Ndërtimi pa leje, legalizimi dhe shpronësimi
Leja e ndërtimit e dhënë në vitin 2002, ishte për një objekt të projektuar nga arkitektët Gjergj Ruci dhe Agim Myftiu.
Por ajo që rezultoi pas ndërtimit në 2015-ën, nuk ishte ajo që ata kishin projektuar.
“Kompleksi rekreativ” u bë pa leje nga 3 në 4 kate dhe me një strukturë lineare xhami.
Pavarësisht këtyre shkeljeve, godina nuk u kërkua më të prishej, përkundrazi në mars të këtij viti u legalizua.
Në dokumentin e legalizimit u konsiderua thjesht në “tejkalim leje ndërtimi” edhe pse ishte bërë kat shtesë dhe ishte zënë më tepër sipërfaqe.
Sheshi i zënë rezultoi të ishte 421.9 dhe jo 348 metra katror sa ishte trualli që zotëronte Shpëtim Dama përpara vitit 2002 dhe shfrytëzimi i sipërfaqes ishte 323 dhe jo 290 metra sa e përcaktonte leja.
Legalizimi u bë dy vite pasi kishte nisur puna për Arenën Kombëtare dhe rindërtimin e sheshit Italia.
Edhe pse dihej se mbi “kompleksin rekreativ” binte projekti i sheshit Italia, legalizimi nuk u ndalua, përkundrazi.
Sot me prishjen e kësaj godine pronarët që e gëzuan në mënyrë abuzive hapësirën publike do të përfitojnë edhe shpronësim për paligjshmërinë e tyre.
Sipas asaj që deklarojnë ata, shpronësimi do të bëhet me vlerën 300 euro metri katror, që nëse i referohemi sipërfaqes që shkruhet në fletën e legalizimit, 1440 metra katror, shpronësimi do të ishte rreth 432 mijë euro.
Legalizimi i një kati shtesë, i ka shtuar së paku 100 mijë euro shumës totale të shpronësimit.