Ndërtesat e Astirit: si përherë, Veliaj shndërrohet shpejt nga i fortë në tinëzar

Nga Megi Ndregjoni
Ndërtesat e Astirit: si përherë, Veliaj shndërrohet shpejt nga i fortë në tinëzar

Sot në mëngjes, punonjësit e Bashkisë Tiranë kanë prerë sërish energjinë elektrike për familjet që kërkon të nxjerrë nga shtëpitë, duke lënë në errësirë dhe në të ftohtë qindra familje. Pas prerjes së energjisë, banorët u përplasën me Policinë Bashkiake, e cila mori në mbrojtje punonjësit e bashkisë.

Prerja e furnizimit me energji erdhi pas pohimit të Kryebashkiakut Veliaj:

“Nëse u takon prona, të merrni paratë, nëse keni nevojë për asistencë, të merrni një shtëpi, nëse doni qira, u japim qira, por vetëm bëni llogarinë e fëmijëve dhe të familjeve tuaja, jo të politikanëve që i kanë rregulluar punët e tyre.”

Duhet thënë se është një ndryshim shumë i madh nga qendrimet e mëparshme krejtësisht arrogante “nuk ka asnjë shans, nuk ka asnjë shans të Erion Veliajt, i cili nën trysninë dhe këmbënguljen e banorëve duket se po ndryshon strategji, nga roli i të fortit në atë të joshjes dhe mashtrimit.

Strategjia e re e tij është që të përcajë qendresën duke bërë premtime dhe duke ofruar diçka për disa nga familjet, çfarë do të thyejë bashkimin e tyre, do t’i përçajë sa të dorëzohen dhe të lëshojnë banesat, për të mbetur pas kësaj në mëshirën e Kryebashkiakut Veliaj.

Pohimi i mësipërm i Veliajt është thjesht një pohim me gojë. Nuk ka asnjë vendim as të bashkisë as të qeverisë për shpronësimin apo mbështetjen me strehim alternativ për familjet që do të zhvendosen nga banesat që janë planfikuar të shemben nga qeveria. Të gjitha ato që thotë Veliaj nuk janë të mbështetura në asnjë akt formal të Bashkisë. Madje as për banesat që ai thotë se janë siguruar nga Bashkia nuk duket se ka ndonjë akt formal, dhe me gjasa ndonjë numër i vogël apartamentesh sa për t’i shërbyer skemës së Veliajt mund të ofrohen nga biznesmenët që përfitojnë nga kontratat dhe tenderat e bashkisë.

Sikurse edhe më parë, Kryebashkiaku Veliaj është duke vepruar në mënyrë krejtësisht jashtë institucionale dhe duke shpërfillur detyrimet e tij ligjore, me qëllime propagandistike për të gënjyer banorët që ata të nxiten të lëshojnë banesat e tyre, për t’i hapur rrugë projektit korruptiv të zgjerimit të unazës.

Me pohimet e tij, Zoti Veliaj po krijon idenë se po u bënë nder qytetarëve duke ju ofruar atyre mbështetje nga shqetësimi i tij njerëzor për ta, por ai në fakt është duke ju mohuar atyre të drejtat ligjore duke i joshur me pak dhe vetëm për disa familje duke shfrytëzuar padijen ligjore dhe mosnjohjen e të drejtave të qytetarëve.

Është e njejta skemë që Zoti Veliaj përdori në rastin e Pazarit të Ri, në rastin e banorëve të Shkozës, dhe atë të Bulevardit të Ri: premto me gojë që të gënjehen deri sa të lëshojnë banesat dhe pastaj lëri pa strehim, ose pa dëmshpërblim ose jepu dëmshërblim qesharak. Pas lirimit të ndërtesave banorët apo bizneset humbin çdo lloj force dhe kauze për të detyruar Bashkinë apo për të kërkuar drejtësinë.

Siç kemi informuar më parë, në rastin e Pazarit të ri pesë ndërtesa u shpronësuan në mënyrë arbitrare dhe klienteliste dhe u dëmshpërblyen për shuma qesharake. Në rastin e Shkozës mbasi familjet u nxorrën me forcë, tashmë shumë prej tyre kanë mbetur rrugëve pa strehim, madje pa qiranë e shumë premtuar nga Veliaj. Kurse në rastin e Bulevardit të Ri, 44 familje pritet të dëbohen forcërisht nga banesat e tyre pa dëmshpërblim nga Bashkia Tiranë.

Mënyra e Veliaj është ajo e joshjes së disa familjeve, për të nxitur edhe të tjerat të besojnë. Sikurse shprehet vetë kryebashkiaku, Bashkia është e gatshme të strehojë menjëherë disa familje në banesa sociale, edhe pse këtë strehim po synon ta bëjë pa asnjë procedurë formale. Nëse disa familje zhvendosen në këto banesa, atëhere edhe të tjerat fillojnë e shpresojnë, ulin kundërshtimet dhe qendrësën e tyre ndaj Bashkisë dhe dorëzohen. Pasi ato largohen, pastaj do të mbeten nën mëshirën e Kryebashkiakut Veliaj dhe nëse rastet e së shkuarës janë tregues, këto familje do të mbeten pa gjë.

Banorët nuk duhet të besojnë fjalët në ajër të Kryebashkiakut Veliaj por duhet të kërkojnë nga ai që të gjitha premtimet me gojë t’i kthejë në akte formale dhe ligjore, para se ta besojnë.

Sikurse kemi shpjeguar dhe informuar më herët, Bashkia Tiranë është e detyruar me ligj të ndërmarrë këto veprime:

— Të përcaktojë të gjitha familjet dhe bizneset që do të shpronësohen, ata që kanë banesat me pronësi të përcaktuar ligjërisht, dhe të hartojë listën e plotë të tyre me të gjitha hollësitë e cdo rasti.

— Në bashkëpunim me qeverinë, të hartojë dhe marrë vendim për shpronësimin e banorëve, ku përcaktohet edhe niveli i dëmshpërblimit për shpronësim.

— Me një vendim të veçantë, qeveria duhet të miratojë fondin e dëmshpërblimit nga fondet buxhetore.

— Duhet të identifikojë dhe bëjë publike listën e plotë të gjitha familjeve që do të zhvendosen pa u shpronësuar të cilat duhet të trajtohen, sipas ligjit, me mbështetje për strehim alternativ.

— Duhet të idetifikojë të gjitha mundësitë e strehimit alternativë për këto familje dhe t’i informojë ato me shkrim, së bashku me kushtet e përfitimit të tyre.

— T’u japë qytetarëve 30 ditë kohë që të ushtrojnë të drejtën e ankimimit në gjykatë ose të zgjedhin formën e strehimit alternative që preferojnë.

— Të vlerësojë dhe miratojë për çdo familje mundësinë e strehimit alternative që do t’i ofrohet nga Bashkia dhe të njoftojë secilën familje për këtë vendim dhe t’i ofrojë atyre 45 ditë para se të lirojnë banesat e tyre.

Deri tani, as bashkia dhe as qeveria nuk kanë ndërmarrë asnjërin nga këto hapa dhe nuk kanë miratuar asnjë vendim në lidhje me këtë çështje. Gjithçka që ato kanë thënë dhe kanë bërë deri më sot janë premtime me gojë të cilat nuk kanë asnjë vlerë ligjore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>