Stadiumi i ri kombëtar — një histori e dyshimtë e përvetësimit të pronës publike

Stadiumi i ri kombëtar — një histori e dyshimtë e përvetësimit të pronës publike

Kryeministri dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit deklaruan sot me shumë bujë (dhe vetëkënaqësi ekstreme) se përfunduan një marrëveshje për realizimin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare”, i cili do të financohet e ndërtohet nga kompania fierake Alb-star shpk.

Historia e stadiumit të ri është historia e një krimi kulturor, urbanistik, administrativ, tregtar dhe financiar i projektuar dhe zbatuar me vetëdije nga Kryeministri Rama dhe Presidenti i FSHF-së Duka, duke u fshehur pas mirëbesimit dhe entuziazmit patriotik të tifozëve të kombëtares, pra gati të gjithë shqiptarëve.

Stadiumi aktual “Qemal Stafa” ka statusin e monumentit kulturor kombëtar të kategorisë së dytë, sikurse Muzeu Arkeologjik, Universiteti i Arteve, Korpusi i Universiteti Politeknik, Pallati i Kongresve, Presidenca, Kryeministria, etj. Ai është pjesë e zonës së mbrojtur historike që përfshin gjithë Sheshin Nënë Tereza. Si i tillë ai nuk mund të prishet, por Kryeministri ka vendosur ta prishë pa keqardhje dhe, me siguri, me proçedura arbitrare dhe politike.

Ndërtimi i stadiumit të ri do të shkatërrojë përfundimisht kompleksin monumental të Sheshit Nënë Tereza. Projekti i paraqitur duket se ka lidhje vetëm me shijet e Kryeministrit Rama dhe obsesionin e tij me betonin edhe pse ai po përpiqet ta shesë si të barabartë me Koloseumin e Romës, teksa rreket të shpjegojë në faqen e Kryeministrisë se ajo masë betoni ngjyra-ngjyra është “një monument i ri prestigjioz, që shpreh traditë dhe modernizëm njëkohësisht, duke pasqyruar modelin e teatrit antik romak në imazhin bashkëkohor të një kryeqyteti në ripërtëritje të vazhdueshme.”

Nga ana tjetër, historia e stadiumit është historia e një privatizimi masiv, të bërë vjedhurazi ligjit, konkurencës, kontrollit parlamentar e syrit të publikut, në favor të interesave të dyshimta private, e filluar nga Qeveria Berisha dhe e përfunduar në mënyrë spektakolare nga Qeveria Rama.

Stadiumi aktual Qemal Stafa dhe toka e tij i kaluan nga qeveria Berisha shoqërisë tregtare “Qendra Sportive Kuq e Zi sh.a” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), me qëllim që kjo kompani të ndërtonte stadiumin e ri me financim të FSHF-së dhe qeverisë. Gjatë qeverisjes Berisha u diskutuan dhe tentuan pa sukses disa modele për të mundësuar investimin, përfshi edhe variantin korruptiv të përdorimit të tokës aktuale për ndërtime tregtare dhe ndërtimin e stadiumit të ri jashtë qytetit.

Qeveria Rama si për çdo gjë tjetër, gjeti zgjidhjen “magjike” të partneritetit publik-privat. Një kompani private ka projektuar, do të financojë dhe do të ndërtojë stadiumin. Pas ndërtimit, fusha, stendat dhe disa mjedise zyrash do t’i kalojnë në pronësi FSHF-së. Të gjitha mjediset e tjera të stadiumit—përfshi të gjitha mjediset në trupin e ndërtesës, poshtë stendave—do t’i kalojnë kompanisë private. Kompanisë private do t’i jepet gjithashtu e drejta e ndërtimit dhe e pronësisë të një kulle 25-30 kate të lartë (nuk është bërë e qartë ende lartësia e saktë) në një pjesë të terrenit publik të stadiumit aktual.

LEXO  Meta thirrje qeverisë për menaxhimin e përmbytjeve

Kalimi i pjesës më të madhe të stadiumit në pronësi private, për qëllime tregtare është shkelje ligjore, pasi toka dhe stadiumi i kaluan në pronësi FSHF-së me kushtin e mos tjetërsimit të saj për qëllime jo sportive.

Edhe pse Kryeministri e paraqiti projektin si një arritje “e zgjuar” e qeverisë për të mbështetur sportin “pa paguar asnjë cent”, nëpërmjet një partneriteti me privatin, historia e vërtetë është ekzaktësisht e kundërta: një privat ka gjetur mënyrën për të privatizuar një tokë publike në një vend të papërsëritshëm, me kushte deri më sot të padëgjuara, dhe pa asnjë konkurencë. Është e qartë se tokën publike që di i kalojë privatit Kryeministri Rama e ka vlerësuar “zero cent” (është shumë domethënëse që Kryeministri njeh vetëm vlerën e parasë së thatë në dorë, por jo vlerën e pasurisë publike).

Edhe pse sot nuk është bërë e ditur asnjë e dhënë për projektin, as në faqen e FSHF-së as të Qeverisë, me përjashtim të videove promovuese me patriotizëm dhe europianizëm, të denja për propagandën e regjimeve autokratike, Kryeministri do duhet të sqarojë në ditët e ardhshme një sërë çështjes të rëndësishme, përfshi: me çfarë kushtesh toka kaloi në pronësi të Federatës dhe me çfarë kushtesh një pjesë e saj do të kalojë në pronësi të kompanisë Alb-star; sa metra katrorë tokë dhe sa metra katrorë qendër biznesi dhe qendër tregtare do të ndërtohen dhe sa do të jenë në pronësi të Alb-star dhe të privatëve të tjerë; a është përfshirë në projektin e ndëritmit edhe kostoja e pajisjeve, aparaturave dhe infrastrukturës ndihmëse, të cilat ka raste kur janë më të mëdha se kosto e ndërtimit të pjesës fizike të stadiumit; etj.

Në fund, Kryeministri do të duhet të përballet me një sërë proçedurash të detyrueshme ligjore, nga vendim-marja për të prishur një monumet kulturor kombëtar, tek ndërhyrja transformuese në një zonë të mbrojtur kulturore e deri tek informimi dhe dëgjesat me publikun, si pjesë e marrjes së lejes së ndërtimit.

 

Artikuj të lidhur:

Çfarë dimë për projektin e Stadiumit të ri Arena Kombëtare – Exit Shpjegon

Stadiumi i ri Qemal Stafa – stadium për publikun apo skemë kriminale grabitjeje?

Grabitja e stadiumit Qemal Stafa: krimi në mes të Tiranës për të cilin nuk flet askush

Lajme te ngjashme

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>