Ndihma për Shqipërinë — 5 fakte të rëndësishme

Nga Exit News
Ndihma për Shqipërinë — 5 fakte të rëndësishme

Rreth 1,16 miliardë euro u premtuan për Shqipërinë nga komuniteti ndërkombëtar si mbështetje për përpjekjet për rindërtim pas tërmetiti të 26 nëntorit 2019.

Premtimet u bënë gjatë një konference të posaçme, të mbajtur të hënën mbasdite në Bruksel, të titulluar “Së bashku për Shqipërinë.”

Fondet janë premtime në parim, të cilat duhet të konkretizohen në marrëveshje formale, gjatë javëve të ardhshme.

Nuk ka garanci se e gjithë kjo shumë do të konkretizohet dhe lëvrohet—pjesa më e madhe e saj janë hua të cilat duhet të mbështeten mbi projekte konkrete që të lëvrohen.

Më poshtë Exit News sjell pesë karakteristika të rëndësishme të ndihmës së premtuar.

  1. Gati 70% e ndihmës është borxh

Rreth €805 milionë euro të premtuara janë hua nga katër banka ndërkombëtare: Banka Islamike për Zhvillim (€365 milionë), Banka Botërore (€160 milionë), Banka Europiane e Investimeve (€100 milionë), Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (€100 milionë) dhe Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim (€80 milionë).

Sipas Ministrit Ahmetaj, huaja nga Banka Islamike do të jetë me interes 1 për qind, ndërsa Banka Botërore dhe ajo e Këshillit të Europës zakonisht ofrojnë interesa më të ulta se bankat tregtare.

Huatë e BERZH-it dhe të BEI-së, me gjasa, do të jenë më terma tregtare.

  1. Vendet Islamike zënë thuajse gjysmën e premtimeve

Vendet Islamike janë premtuesit më të mëdhenj të ndihmës, me rreth 485 milionë euro premtime, ose rreth 42 për qind të totalit të premtuar. Megjithatë, vetëm dy vende islamike kanë premtuar mbështetje, Turqia (€45 milionë) dhe Katari (€5 milionë)—pjesa dërrmuese e premtimit është një hua nga Banka Islamike për Zhvillim (€365 milionë), e cila është edhe premtuesi më i madh nga të gjithë premtuesit ndaj Shqipërisë.

  1. Bashkimi Europian ka dhënë ndihmën më të rëndësishme

Bashkimi Europian (mbi €216 milionë) ka dhënë ndihmën më të rëndësishme, falas dhe të pakushtëzuar. Më shumë se gjysmën e ndihmës së BE-së e ka premtuar Komisioni Europian (€115 milionë), dhe pjesën tjetër vendet anëtare (€101 milionë)—thuajse të gjitha vendet anëtare kanë premtuar, shumica shumë €1-2 milionë.

  1. Italia dhe Turqia janë, me diferencë, vendet me ndihmën më të madhe

Italia mbetet partneri më i rëndësishëm i Shqiëprisë në fushën e mëbshtetjes me ndihmë. Ajo ka premtuar €65 milionë mbështetje duke qënë me diferencë të madhe vendi më bujar.

Pas saj vjen Turqia me premtimin për rreth (€45 milionë)— një pjesë e ndihmës turke do të jetë ndërtim direkt shtëpish dhe objektesh kulturore.

Pas tyre vjen Gjermania (€11 milionë) dhe Zvicra (€9 milionë).

Më poshtë është tabela e plotë e të gjithë premtuesve dypalësh dhe shumëpalësh.

  1. Ndihma do të kushtëzohet për zbatimin e saj

Institucionet perëndimore, përfshi BE-në, tre bankat europiane dhe Bankën Botërore, kanë vendosur standarde të rëndësishme për lëvrimin e ndihmës së premtuar.

Ato kërkojnë mbi të gjitha që fondet dhe përpjekjet përkatëse rindërtuese të menaxhohen nga një agjenci apo program i posaçëm për rindërtimin, e cila duhet të veprojë në bazë parimeve të transparencës, llogaridhënies, qartësisë, barazisë etj.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>