Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështjet e Europës dhe Euroazisë Philip Reeker deklaroi sot se disa drejtues shtetesh të Europës ende e shohin Ballkanin me syrin e shekullit 19. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara u zhgënjyen nga vendimi i Këshillit Evropian për refuzimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ne jemi të zhgënjyer ashtu sikur se dhe Sekretari i Shtetit Pompeo e bëri të qartë, për shkak se Europa refuzoi të hapte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.Është zhgënjyese që disa drejtues të shteteve europiane kanë një qasje të shekullit 19 për Ballkanin Perëndimor.”
Zoti Reeker shtoi se SHBA-të kanë mbështetur reformat që këto vende kanë marrë dhe se këto reforma janë në interes të vendeve dhe gjithashtu të Europës.
“Ne i kemi mbështetur reformat që këto vende kanë ndërmarrë dhe përparimi i tyre është në interes të këtyre dy vendeve dhe të Europës”
Phillip Reeker është diplomat amerikan, i cili shërben si Ndihmës Sekretar Shteti në detyrë për çështjet e Europës dhe Euroazisë që prej marsit të 2019. Ai zëvendësoi Wess Mitchell, i cili dha dorëheqjen nga ky pozicion në fillim të këtij viti.