Kompania italiane ortake e Bashkinë Tiranë në kompaninë e pastrimit të mbetjeve ‘EcoTirana’, akuzohet nga prokuroria italiane për qarkullim parash në favor të grupit mafioz Ndragheta. Lajmi u botua nga disa media italiane.
Andrea Miglioranzi, deri më 30 janar 2018 anëtar i Bordit Administrativ i AGSM Holding dhe president i AMIA-s (një nga dy kompanitë ortake të AGSM-së), kompani ortake me EcoTirana-n dhe ish-kryebashkiaku i Veronës Flavio Tosi, i cili firmosi marrëveshjen për krijimin e kompanisë së përbashkët EcoTirana, po hetohen për bashkëpunim me pjestarë të grupit mafioz Ndragheta.
Më 4 qershor 2020, Prokuroria italiane ka gjetur se “kompania komunale e Bashkisë Verona, Amia, është përdorur për të qarkulluar para [të lidhura me organizatën kriminale], dhe dy drejtuesit e saj janë nën hetim”.
Prokuroria ka akuzuar 26 persona ndër to ish-kryebashkiakun Tosi dhe Andrea Miglioranzi për bashkëpunim në organizatë kriminale, mashtrim, pastrim parash, rryshfet, trafik droge, korrupsion, transferim të mirash materiale në shkelje me ligjin.
Tosi po hetohet në gjendje të lirë për përdorimin e kompanisë komunale të Bashkisë Verona Amia, për të likujduar një faturë me vlerë 5000 euro për llogari të një hetuesi privat.
Ndrësa, Andrea Miglioranzi, në arrest shtëpie, akuzohet se ka përdorur kompaninë komunale të Bashkisë së Veronës Amia të pastrimit të mbetjeve, për qarkullimin e parave të organizatës Ndragheta.
Tosi dhe Miglioranzi janë akuzuar edhe më parë nga prokuroria italiane për bashkëpunim me një nga drejtuesit e Ndraghetës, Antonio Gardino tani i arrestuar.
Miglioranzi është hetuar nga Prokuroria italiane si drejtues i kompanive nën kontrollin e organizatës kriminale Ndragheta. Ndërkohë, në median italiane para disa kohësh u publikua një foto e Kryebashkiakut Tosi me Antonio Giardini.
Historiku i EcoTirana
Në qershor të 2016, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj krijoi një kompani të përbashkët mes Bashkisë dhe ndërmarrjes komunale të Bashkisë së Veronës me objekt mbledhjen e plehrave dhe mbetjeve të Tiranës.
Për këtë qëllim, në qershor 2016 u formua kompania EcoTirana, me kapital fillestar një milionë euro, me ortakë 51 për qind Bashkinë Tiranë dhe 49 për qind kompaninë italiane AGMS Holding. Kjo e fundit është në pronësi të AGSM dhe AMIA, dy ndërmarrje bashkiake të kontrolluara nga Bashkia e Veronës.
Anëtar i Bordit Administrativ të AGSM Holding dhe president i AMIA-s (një nga dy kompanitë ortake të AGSM-së) është Andrea Miglioranzi, një personazh i njohur i kronikave politike dhe gjyqësore italiane, i emëruar nga Kryebashkiaku Tosi.