Ndryshimet në procesin e zgjerimit i hapin rrugë anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Ndryshimet në procesin e zgjerimit i hapin rrugë anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Sot do të prezantohet propozimi i ri për reformimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, i hartuar nga Komisioni Evropian.

Sipas një artikulli të Politico.eu, propozimi do të përmbajë kërkesën e Francës për t’i dhënë mundësinë vendeve anëtare të BE-së të “ngrijnë” ose të “ndalojnë plotësisht” procesin e bisedimeve, nëse një vend kandidat bën hapa pas në çështjet kryesore.

Plani do të përmbajë një “hartë për zbatimin e ligjit” për vendet kandidate dhe do ta bëjë të qartë se nuk do të hapet asnjë kapitull derisa të plotësohen standardet në zbatimin e ligjit. Kushtet  më të forta për çështje të zbatimit të ligjit kërkohen nga Franca, Hollanda, dhe Gjermania.

Metoda e re do t’i japë qeverive të BE-së më shumë fuqi të vlerësojnë vendet kandidate gjatë procesit— deri më tani ky vlerësim kryhej nga Komisioni Evropian, i cili është akuzuar nga vendet e BE-së , si shumë optimist në vlerësimin e tij.

Ministrja franceze për Evropën Amelie de Montchalin u shpreh në mbështetje të këtij plani, por ishte e paqartë nëse Franca do ta pranojë propozimin e Komisionit apo do të kërkojë ndryshime.

Shumë kritikë shprehen se hapja e bisedimeve me vendet e Ballkanit do të rrisë emigracionin, dhe pranimi i vendeve të Ballkanit, të cilat vuajnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, do të shkaktonte shumë probleme në BE.

Komisioneri i Zgjerimit Olivér Várhelyi tha se “procesi duhet të jetë edhe politik, jo vetëm administrativ. Ne mblodhëm të gjitha pjesët dhe po përpiqemi të krijojmë diçka. Ne asnjëherë nuk thamë se do hartojmë diçka komplet të re.”

Vendet e BE-së duhet të bien dakord mbi këtë plan përpara samitit që do të mbahet në mars, në të cilin Merkel ka thënë se do të hapen bisedimet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shtyrë gjithmonë hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke thënë se dy vendet e Ballkanit kanë ndërmarrë reforma të mëdha dhe duke kujtuar se nëse BE nuk i pranon ato do të bien pre e ndikimeve ruse, kineze, turke.


Botuar në Politico.eu/Përkthyer nga Exit News

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme