Presidenti Meta dekretoi sot ndryshimin në ligjin 115/2016 për Organet e Qeverisjes së Drejtësisë, duke lejuar çdo anëtar të ri të Gjykatës Kushtetuese të jetë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ndryshimi në ligjin e ri lejon anëtarët e rinj që do të zgjidhen në Gjykatën Kushtetuese brenda vitit 2019, të jenë pjesë e KED-it pavarësisht periudhës kohore në këtë gjykatë.
Sipas ligjit të vjetër, në nenin 221 për përcaktohej se:
“Kushtet dhe kriteret për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve
të Këshillit dhe procedurat e përzgjedhjes
1. Mund të përfshihen në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në
Drejtësi vetëm ata magjistratë dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, në momentin e
organizimit të shortit, plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) në kohën e hedhjes së shortit magjistrati e ka ushtruar funksionin për të paktën 10 vjet dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese për të paktën 1 vit.”
Ndërkohë me ndryshimin e ri pika 1 (a) e nenit 221 ka ndryshuar si më poshtë:
“a) në kohën e hedhjes së shortit magjistrati që ushtron detyrën pranë gjykatave administrative, gjykatave të apelit, prokurorive pranë gjykatave të apelit dhe Prokurorisë së Përgjithshme ka ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 10 vjet”.
Kështu është hequr kriteri për eksperiencën një-vjeçar të punës që duhet të kishin anëtarët e GJK-së për të qënë pjesë e KED-it.
Ndryshimi i miratuar tashmë do zhbllokojë KED e ri, i cili do të konstituohet në fund të këtij viti, pasi çdo anëtar i GJK mund të jetë anëtar i KED. Aktualisht KED ka vetëm shtatë anëtarë nga nëntë që duhet të ketë.
KED është institucioni që verifikon kandidatët të cilët përmbushin kriteret ligjore për në Gjykatë Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Ai përbëhet nga :
- Dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese;
- Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
- Një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme;
- Dy gjyqtarë nga Gjykatat e Apelit;
- Dy prokurorë nga prokuroritë e Apelit;
- Një gjyqtar nga gjykatat Administrative.
Në vitin 2017 dhe 2018, formimi i KED-it është bërë në shkelje të ligjit sepse shumica e kandidatëve nuk kishin kaluar vetingun me vendim të formës së prerë. Bashkim Dedja, kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe anëtar i KED 2019, u shkarkuar nga KPA-ja, gjatë kohës që ishte pjesë e KED-it, duke e lënë atë me shtatë anëtarë.