Në 2 vite 750 kilogramë kokainë, policia nuk i lidh me asnjë bandë kriminale

Nga Gerard Gega
Në 2 vite 750 kilogramë kokainë, policia nuk i lidh me asnjë bandë kriminale

Kapja e 137 kilogramë kokainë ekuadoriane me destinacion Shqipërinë rrezikon të përfundojë njësoj si rasti i 613 kilogramëve të kapur në shkurt 2018 — sasia e drogës u porosit vetëm nga një person.

Pavarësisht se kjo është ngarkesa e dytë me kokainë e fshehur në kontenierë bananesh që u transportua nga Amerika e Jugut për interes të një kompanie shqiptare, policia ende nuk ka treguar nëse po heton për një grup kriminal, apo për gjetjen e lidhjeve me kartelet amerikano-jugore.

Ajo, njësoj si me rastin e 613 kilogramëve kokainë të kapura në shkurt 2018, ka akuzuar vetëm 3 persona, njëri prej të cilëve, është në kërkim.

Pra, në rreth një vit e gjysmë pavarësisht se në Durrës janë përpjekur të fusin 750 kilogramë kokainë nga Amerika e Jugut, policia shqiptare nuk ka gjetur asnjë grup kriminal të lidhur me to.

Ngjashmëritë

Kompani bananesh – Në të dyja rastet përdoret kompani importi frutash ekzotike: Arbri Garden dhe Alba Exotic Fruit.

Nga 3 të akuzuar – Për 613 kg kokainë akuzohen Arbër Çekaj, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, për 137 kg akuzohen Gentian Malindi, Ardian Bega dhe Altin Myslihaka.

Një prej të akuzuarve arratiset – Për 613 kg kokainë u shpall në kërkim Arbër Çekaj, për 137 kg Gentian Malindi. Të dy konsiderohen nga policia kryesorët.

Asnjë grup kriminal nuk lidhet me porositë – Policia nuk ka treguar në asnjë moment, qoftë dhe dyshimet, se cila bandë qëndron pas ngarkesave të mëdha me kokainë.

Ngjarjet

Më 24 shtator 2019 në portin e Pireut policia greke pikasi 4 kontenierë figoriferikë me 137 kilogramë kokainë që vinte nga Ekuadori. Ngarkesa qe fshehur mes një porosie bananesh të kompanisë Alba Exotic Fruit dhe pritej në portin e Durrësit.

Autoritetet greke në bashkëpunim me antidrogën amerikane sinjalizuan policinë shqiptare, vendosën sistem GPS dhe zëvendësuan ngarkesën me oriz dhe gips.

Tre ditë më vonë, më 27 shtator, në portin e Durrësit policia arrestoi Ardian Begën, oficer sigurie dhe Altin Myslihakën, ndërsa shpalli në kërkim Gentian Malindin, ky i fundit i akuzuar në vitin 2013 në lidhje me një ngarkesë prej 500 kilogramë marijuanë.

Në një denoncim të bërë sot, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tregoi se kompania Alba Exotic Fruit, që kishte porositur ngarkesën e bananeve nga Ekuadori, kishte kryer 151 porosi nga i njëjti itenerar.

Kompania Alba Exotic Fruit zotërohet nga Eduart Dauti, i cili zotëron gjithashtu edhe lokalin e natës Tabu, tejet të njohur në kryeqytet.

Më 27 shkurt 2018 pas informacioneve nga autoritetet e huaja, policia shqiptare kapi 613 kilogramë kokainë që vinte nga Kolumbia dhe ishte fshehur në një ngarkesë bananesh.

Ngarkesa kishte ardhur me itinerar Kolumbi-Itali-Maltë-Durrës. Ajo u shdoganua 19 ditë pasi kishte mbërritur dhe u mor nga punonjës të Pelikan Transport për t’u çuar në magazinat e Arbri Garden në Maminas, vend ku u krye edhe ndërhyrja e policisë.

Kjo ishte ngarkesa më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në Shqipëri, por sidoqoftë për të pati vetëm një të akuzuar, Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë që kishte bërë porosinë e bananeve.

Çekaj qe larguar nga Shqipëria 3 ditë përpara se policia të kryente operacionin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>