Kohët e fundit është folur shumë për opinionin ligjor të EURALIUS/OPDAT që i shërbeu si justifikim dhe mbrojtje qeverisë Rama për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet shqiptare.
Ndikimi i dy misioneve ndërkombëtare të drejtësisë, që të paktën në rastin e EURALIUS duhet përmendur se është një kompani private e punësuar nga Komisioni Evropian, është rritur aq shumë në vend sa Kryeministri Rama, për disa ndryshime kushtetuese të propozuar nga opozita, u shpreh:
“Le të shkojë [Partia Demokratike] të marrë mbështetjen e SHBA dhe BE dhe pastaj le të ulemi dhe të diskutojmë.”
Me fjalë të tjera, avokatët privatë të pazgjedhur, të punësuar privatisht nga BE duket se tani janë përgjegjës për procesin legjislativ në Shqipëri. Ky fakt është padiskutim në kundërshtim me Kushtetëtutën dhe dëmton rëndë sovranitetin e vendit.
Kjo është situatë ironike po të kemi parasysh se misioni i EURALIUS IV, që zgjati nga viti 2014 deri në dhjetor 2017, ishte “për të forcuar pavarësinë, transparencën, efikasitetin, llogaridhënien dhe besimin e publikut në sistemin shqiptar të drejtësisë në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira “.
Siç duket në 3 vite të përpjekjeve të BE-së, asnjë nga këto nuk është përmirësuar dukshëm. Përkundrazi duket se sistemi gjyqësor shqiptar i është nënshtruar një misioni tw huaj të drejtësisë, të paqëndrueshëm, joefikas dhe që nuk i jep llogari askujt, si EURALIUS IV.
Më parë, Exit.al kontaktoi me misionin EURALIUS IV në Tiranë me një kërkesë për llojin e punës që ata bëjnë për qeverinë shqiptare, opinionet që kanë dhënë dhe që kanë formësuar reformën gjyqësore shqiptare. Zëdhënësi i misionit refuzoi të jepte informacion.
Në të njëjtën kohë, Exit.al bëri një kërkesë në Komisionin Evropian, bazuar në të drejtën e informimit, në lidhje me të gjitha mendimet ligjore të hartuara nga misioni EURALIUS IV për institucionet shqiptare, si dhe gjithë komunikimin e misionit me institucionet.
Në dokumentin e datës 16 janar 2018, Komisioni Evropian u përgjigj si më poshtë:
“Komisioni ka identifikuar një dokument në posedim të tij që korrespondon me përshkrimin e dhënë në kërkesën tuaj: mendimin ligjor për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm të Shqipërisë.”
Në 3 vitet që EURALIUS IV ka funksionuar në Shqipëri, vetëm një herë ka shkruar një mendim ligjor për qeverinë shqiptare! Dhe ky opinion i vetëm ligjor ndodhi, rastësisht, që të hartohet vetëm pak javë para përfundimit të misionit të tij dhe është pikërisht opinioni i diskutueshëm që justifikon zgjedhjen jokushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm, i cili tashmë po bën kërdinë në Prokurori.
Në të gjitha rastet e tjera, EURALIUS ka ndjekur procedurat normale duke komentuar projektligjet e paraqitura në Parlament, duke lejuar që legjislativi të diskutojë propozimet e saj në mënyrë të hapur dhe në mënyrë demokratike.
Por vetëm në këtë rast të veçantë (në 3 vjet!) për Prokuroren e Përkohshme të Përgjithshme, opinioni juridik u ofrua nëpërmjet një procedure të jashtëzakonshme dhe pa u botuar në faqen e internetit të EURALIUS IV. Për më tepër, ky opinion ligjor, i favorshëm për qeverinë dhe për këtë arsye i favorshëm për ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin, është lëshuar në periudhën kur konsorciumi që drejton EURALIUS IV po merrte pjesë në tenderin publik të BE-së për vazhdimin e misionit në EURALIUS V.
Së fundmi, siç mund të verifikohet lehtësisht, mendimi ligjor mbi Prokurorin e Përkohshëm të Përgjithshëm hartuar nga EURALIUS dhe ai që i dërgohet Kuvendit të Shqipërisë më 22 nëntor 2017 nga Këshilltari Ligjor Rezident i OPDAT Jon Smibert janë egzaktësisht të njëjta. Kjo do të thotë që opinioni ligjor është hartuar plotësisht nga EURALIUS dhe vetëm sa është nënshkruar nga OPDAT. Kryeministri Rama ka folur gjithmonë për një mendim të përbashkët ligjor BE/SHBA, por nga dokumentet e siguruara nga Komisioni Evropian bëhet e qartë se kontributi i SHBA-së ishte vetëm letra me logon e OPDAT. Ky fakt nga ana tjetër ngre pyetjen shqetësuese se pse EURALIUS nuk e ka dërguar opinionin e tij ligjor direkt në Parlament dhe ta publikojë atë në faqen e saj të internetit, duke ndjekur procedurat standarde të transparencës. Dhe përse OPDAT e paraqiti opinionin e EURALIUS-it në Parlament si të vetin?
Për fat të keq, askush nuk do t’i përgjigjet këtyre pyetjeve në të ardhmen, pasi siç shprehet dhe Komisioni Evropian:
“Komisioni nuk mban asnjë dokument lidhur me komunikimin zyrtar midis misionit EURALIUS IV dhe institucioneve shtetërore shqiptare. Prandaj, ju ftoj që ta adresoni këtë kërkesë direkt në misionin EURALIUS IV.”
Por përgjigjen e EURALIUS IV e dimë tashmë: është “është një projekt i asistencës teknike dhe nuk ka aktivitet të marrëdhënieve me publikun“. Kështu pra Komisioni Evropian dhe kontraktuesi i saj privat mbrojnë njëri-tjetrin duke fshehur informacione vendimtare për një proces aspak transparent “pothuajse-ligjor”.