Në 6 muaj 22 përgjime, Rama dënoi vetëm gazetarët

Nga Erblin Vukaj
Në 6 muaj 22 përgjime, Rama dënoi vetëm gazetarët

Në gjashtë muajt e fundit, Kryeministri Edi Rama është përballur me katër raportime të ndryshme që flisnin mbi bazën e disa përgjimeve për përfshirjen e Partinë Socialiste në marrëdhënie me krimin dhe blerjen e votave. Këto katër raportime kanë nxjerrë së paku 22 përgjime që implikojnë zyrtarë socialistë në aktivitete të jashtligjshme në proceset zgjedhore të Durrësit, Dibrës dhe jo vetëm.

Por në vend që ta dënonte këtë veprimtari të pretenduar se është bërë nga bashkëpunëtorët e tij, Kryeministri Rama nuk ka reshtur së sulmuari këdo që i ka raportuar ato. Nga Zëri i Amerikës e deri te gazetari gjerman Peter Tiede i Bild.

E gjitha nisi më 14 janar, kur Zëri i Amerikës publikoi një hulumtim mbi hetimet e kryera nga Prokuroria për ish-drejtorin e burgjeve, Arben Çuko, i akuzuar për trasferimin e paligjshëm të një të dënuari.

Zëri i Amerikës tregonte se si deri në prill të vitit 2018 punësimet në administratë qenë bërë me ndërhyrje nga zyrtarë socialistë. Zëri i Amerikës publikoi gjithashtu edhe transkriptime të bisedave të përgjuara, të cilat kishin rrjedhur nga hetimet e prokurorisë.

Por në vend që të dënonte veprimtarinë dhe të kërkonte zbardhjen e çështjes në fjalë, Kryeministri Edi Rama sulmoi Zërin e Amerikës duke i konsideruar përgjimet si “llogje telefonike”:

Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për here të parë në Albania organizohet konkurs public për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tone mediatik. Çfarë katandie…

Më 30 janar një hulumtim mbi dy çështje të tjera nën hetim nga Prokuroria tregoi gjithashtu përgjime zyrtarësh socialistë. Kësaj here përgjimet bënin fjalë për lidhjet e socialistëve me krimin si dhe për blerjen e votave në Durrës, Dibër dhe zona të tjera.

Hulumtimi u publikua nga rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese BIRN dhe Zëri i Amerikës. Në të u përmendën dosjet 184 dhe 339 si dosje, të cilat ishin zvarritur nga Prokuroria. Në këto dosje kishte përgjime të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, i cili tregohej se fliste me bandën e Avdylajve, e cila angazhohej për të siguruar vota pro tij.

Sërish Kryeministri Rama nuk e dënoi veprimtarinë e Dakos apo të bashkëpunëtorëve të tij, por bashkë me të nisi përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Më vonë në një dalje publike për gazetarët, Kryeministri e mbrojti atë duke i konsideruar raportimet broçkulla dhe se “përgjimet nuk përbënin prova” qëndrim të cilin Rama do t’ia përsëriste edhe në një përgjigjje drejtorit të Zërit të Amerikës Elez Biberaj.

Në 110 vjetorin e gazetës Dielli Biberaj pati tërhequr vëmendjen se si pas raportimit të përgjimeve, Kryeministri kishte refuzuar të dënonte lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit”.

Më 14 maj, gazetari i Bild Peter Tiede shkroi një artikull ku fliste për përgjimet, lidhjet e qeverisë me krimin dhe pazaret e votave. Tiede përmendte pjesë nga dosja 184 dhe thoshte se më 11 shtator 2016, në zgjedhjet e parakohshme vendore të Dibrës, Rama kishte kontaktuar në telefon me Arben Keshin, audio-përgjim që më pas u publikua më 17 qershor.

Rama sulmoi gazetarin gjerman dhe shkrimin e Bild se artikulli nuk ishte i tyri:

Unë nuk kam asgjë me Bildin, por këtë e ka shkruar Ylli Manjani dhe Pastref (Basir Çollaku) si e ka… Çollaku si e ka ai?!… Janë këta të dy që janë furnizuesit dhe autorët e këtij teksti… Bildi ka bërë një shkrim bazuar në këto burime, shqiptarët e dinë mirë se çfarë përfaqësojnë këto burime, njëri i TV Shijakut, tjetri i filxhan partisë. Gazetari i Bildit ka marrë këto burime të shquara dhe ka bërë publikimin. Unë nuk kam gjë fare me Bildin se ata fare mirë mund të thonë, ore zotëri çfarë ke me ne, këta janë burimi, merru me këta.

Mirëpo pas këtij sulmi gazetari Tiede u zotua se do t’i publikonte përgjimet në formë audio.

Më 5 qershor Bild publikoi 6 biseda të përgjuara në versionin audio. Në këto përgjime dëgjohej kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, Astrit Avdylaj, Ardian Kokomani, Arjan Ndraxhi dhe Elton Arbana. Nga këto biseda kuptohet se si caktohen kandidatët në zgjedhje, se si u bëhej presion nëpunësve për të votuar socialistët dhe se si merren favore në këmbim të votave.

Pasi nuk mund t’ia mohonte më zërin Dakos dhe Avdylajt, Rama tha në emisionin Real-Story se kryebashkiaku i Durrësit ishte i lirë të hetohej megjithatë ai vazhdoi të këmbëngulte se dosja 339 “është mbajtur në sirtar për shantazh politik” dhe se “shitje apo blerje votash nuk ka”.

Më 17 qershor Bild publikoi edhe 16 audio-përgjime të tjera. Kësaj here i përgjuar në një bisedë rezultoi edhe vetë Kryeministri Rama, ndërsa zyrtarë të tjerë të rëndësishëm ishin, ish-Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës Damian Gjiknuri dhe ish-deputeti Pjerin Ndreu. Temë e bisedave ishin zgjedhjet e parakohshme vendore të 11 shtatorit 2016 në Dibër. Gjiknuri e Ndreu jepnin urdhëra për angazhime dhe deklarime të votës, ndërsa personat me të cilët ata bisedonin, përgjoheshin më tej teksa diskutonin për paratë që do t’u jepnin zgjedhësve në këmbim të votës.

Për këto audiopërgjime Rama si fillim sulmoi prokurorët të cilët qenë marrë me hetimet:

Përgjimet e pahetuara të shërbëtorit të Saliut tregojnë përsëri se u bënë për shantazh, jo për drejtësi! Dhe u mbajtën tek partia për këtë ditë të zezë, kur duhet sulmuar Shqipëria “me zbulime gjermane”, për të bllokuar negociatat dhe ndaluar drejtësinë që vjen me kapitujt 23/24.

Pak më vonë ai shtoi se ky “është i gjithi një skandal i turpshëm i gatuar nga shërbëtori famëkeq i Saliut në prokurori plus një birbo tjetër që doli cullak nga Vettingu”. Rama këmbënguli se “ata kanë shkelur ligjin për sekretin hetimor, duke i përdorur për shantazhe e lojë politike”.

Pasi reagoi për prokurorët, Rama iu rikthye edhe gazetarit Tiede për të cilin tha se kishte vendosur ta çonte në gjyq. “Të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar” i thoshte Rama Tiedes.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>