Ankesat drejt Avokatit të Popullit janë rritur me 27.4 për qind që nga viti 2013, kur erdhi në pushtet Partia Socialiste e Kryeministrit Rama, krahasuar me pesë vitet përpara qeverisjes së tij.
Numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë nga ky institucioni u rrit në nivele të larta, tre vjet rresht në vitet 2016-2018, duke arritur në 5516 ankesa në vit. Kjo mesatare shkon në 4683 ankesa në vit nën qeverisjen e Edi Ramës, dhe 3399 ankesa nën qeverinë e mëparshme. Numri më i ulët i ankesave të pranuara ndonjëherë ishte 2738 ankesa në vitin 2011.
Duke parë të dhënat e vitit 2018, viti me ankesat më të mëdha, shumica e tyre erdhën nga qytetarët e Tiranës, pasuar nga Fieri, Shkodra, Elbasani, Saranda dhe Kuksi. Shumica dërrmuese e ankesave ishin kundër Ministrisë së Drejtësisë, pasuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Për sa i përket llojeve të ankesave të paraqitura dhe të drejtave të pretenduara të shkelura, “liria e lëvizjes, procedurat gjyqësore, e drejta e pronës dhe e drejta për sigurime shoqërore ishin çështjet më të zakonshme të paraqitura nga qytetarët.” Avokati i Popullit gjeti shkelje në shumicën e çështjeve, ndërsa ankesat e pabazuara përbënin rreth 30 për qind të çështjeve.
Avokati i Popullit është Institucioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe është anëtar i Aleancës Ndërkombëtare të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe punon brenda udhëzimeve të parimeve të Kombeve të Bashkuara në Paris. Roli i saj është të mbikëqyrë autoritetet publike në drejtim të zbatimit parimeve të shtetit të së drejtës dhe të qeverisjes së mirë, duke shmangur keqadministrimin në ofrimin e shërbimeve publike.
Sipas Kushtetutës, Avokati i Popullit “mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike.”