Në Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut Edi Rama kërcënon studentët

Nga Alice Elizabeth Taylor
Në Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut Edi Rama kërcënon studentët

10 dhjetori shënoi Ditën e të Drejtave të Njeriut në mbarë botën, ditën kur 70 vjet më parë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Teksa vendet në mbarë botën festojnë përvjetorin e miratimit të këtij dokumenti historik, atmosfera aktuale në Shqipëri të lë të kuptosh se ka ende shumë punë për të bërë në këtë fushë.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut shpalli të drejtat e patjetërsueshme të çdo individi, pa përjashtim, të cilat gjithkush i gëzon në vetvete si qenie njerëzore. Këto të drejta gëzohen pa dallim race, ngjyre, feje, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, prejardhjeje sociale, prone, lindjeje, apo çfarëdo statusi tjetër. Deklarata e hartuar nga përfaqësues me formime të ndryshme kulturore dhe ligjore nga të gjitha rajonet e botës, shpalos një listë vlerash universale dhe një standard të përbashkët për arritjen e tyre për çdo individ të çdo kombi.

Dje, kur qeveria e Shqipërisë do të ishte dashur të bënte maksimumin për të promovuar të drejtat e njeriut, Kryeministri Edi Rama u bëri një kërcënim studentëve që po protestojnë për kushte më të mira në universitetet publike në vend. Në një video në Facebook-un e tij, Rama tha se:

[…]Për mua, që ta dini ju, është gjëja më e lehtë të kërkoj në qeveri një manovër taktike që shuan protestën[…]

Ky kërcënim është një shkelje e drejtpërdrejtë e Nenit 20 të Deklaratës, që thotë se:

(1) Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mbledhjes dhe bashkimit paqësor.

Kjo gjendje ka ardhur pas kërkesave të Prokurorisë për arrestimin e gjashtë qytetarëve, që protestuan përpara Parlamentit në mbrojtje të pronës së tyre, si dhe për arrestimin e 11 banorëve të Astirit, që protestuan kundër ndërprerjes së energjisë elektrike nga qeveria, çka kishte lënë qindra familje në të ftohtë dhe në errësirë. Në pesë vitet e fundit administrata e Ramës ka shkelur të drejtat e shumë më tepër qytetarëve, duke përfshirë gra shtatzana, shtetas të huaj, dhe një numër të madh aktivistësh të shoqërisë civile, që kanë qenë duke ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar.

Shkeljet e tjera përfshijnë median thuajse tërësisht të njëanshme, që ka shmangur veprimtarinë e shoqërisë civile, ose ka botuar me qëllim lajme të rreme apo të paplota në favor të qeverisë dhe në dëm të qytetarëve. Vëmendje i duhet kushtuar edhe medias në gjuhën angleze, përkujdesja për të cilën është e detajuar dhe përdoret për të ushqyer Ambasadat dhe agjencitë ndërkombëtare me një version të vetëm të ngjarjeve, sërish në mbështetje të vendimeve moralisht të dyshimta dhe shpesh joligjore të qeverisë. Këto janë disa nga Nenet që, me gjasa, janë nën kërcënimin e qeverisë së tanishme në Shqipëri.

Neni 1.

Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi.

Neni 2.

Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës, ose që gjindet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit.

Neni 3.

Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak.

Neni 7.

Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë pa asnjë diskriminim të mbrohen barabar nga ligji.Të gjithë kanë të drejtën për t’u mbrojtur barabar kundër çdo diskriminimi që cënon këtë Deklaratë, si dhe kundër çdo nxitje për një diskriminim të tillë.

Neni 9.

Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose dëbimit.

Neni 10.

Gjithkush gëzon njëlloj të drejtën për një proces gjyqësor objektiv e publik para një gjykate të pavarur e të paanshme, në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të veta dhe për vendimin mbi çfarëdo lloj akuze penale.

Neni 12.

Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën, familjen, banesën ose korrespondencën vetjake, si dhe sulmeve kundër nderit dhe prestigjit personal. Gjithkush ka të drejtën të mbrohet nga ligji kundër ndërhyrjeve ose sulmeve të tilla.

Neni 17.

(1) Gjithkush ka të drejtën të ketë pasuri, si vetëm ashtu edhe në bashkëpronësi me të tjerët.
(2) Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij.

Neni 19.

Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë.

Neni 20.

(1) Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mbledhjes dhe bashkimit paqësor.

Neni 21.

(1) Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet, drejtpërdrejt ose me anë të përfaqësuesve të zgjedhur lirisht.
(2) Gjithkush ka njëlloj të drejtë të hyjë në shërbimet publike në vendin e vet.

Neni 22.

Si anëtar i shoqërisë, gjithkush ka të drejtën e sigurimit shoqëror dhe realizimit të të drejtave ekonomike, sociale, kulturore të domosdoshme për dinjitetin e vet dhe për zhvillimin e lirë të personalitetit, me ndihmën e shtetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përputhje me organizimin dhe mundësitë e çdo shteti.

Neni 25.

(1) Gjithkush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm i cili t’i përgjigjet shëndetit dhe jetës së përshtatshme si të atij personalisht, ashtu edhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjeksor dhe shërbimet e nevojshme sociale, si edhe të drejtën për të qenë i siguruar në rast sëmundjeje, papunësie, vejanie, pleqërie dhe raste të tjera të humbjeve të mjeteve për jetesë për shkak të rrethanave të pavarura nga vullneti i tij.

Neni 26.

(1) Gjithkush ka të drejtën e shkollimit. Arsimi duhet të jetë falas, të paktën në shkollat fillore dhe të ulta. Arsimi fillor është i detyrueshëm. Arsimi teknik dhe profesional duhet të zgjerohet e arsimi i lartë duhet t’u bëhet i mundshëm të gjithëve në bazë të aftësisë.
(2) Arsimi duhet të drejtohet nga zhvillimi i plotë i personalitetit të njeriut dhe nga forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ai duhet të nxisë kuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjithë popujve, grupeve të racave dhe besimeve, si dhe veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes.

Ndërkohë që gjithë bota feston Ditën e të Drejtave të Njeriut, qytetarët shqiptarë luftojnë me pamundësinë për arsim të lartë, me zhdukjen e të drejtave të studentëve, me përzënien me dhunë të mijëra banorëve nga banesat e tyre, për t’i hapur rrugë një projekti të zhytur në korrupsion, si dhe me kërcënimet kundër atyre që dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>