Në raportin e fundit për luftën kundër narkotrafikut, Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se grupet kriminale shqiptare trafikojnë kokainë dhe heroinë direkt nga vendet e prodhimit në Amerikën e Jugut dhe Azi për në Europë.
Pohimi duket se mbështetet nga një sërë faktesh, përfshi shtimin e rasteve kur në Shqipëri janë kapur ngarkesa droge që vinin direkt nga Kolumbia dhe Ekuadori, janë zbuluar laboratorë droge të ndërtuar në bashkëpunim me amerikano-latinë të ardhur në Shqipëri, si dhe vrasje dhe dhunë ndaj shtetasve shqiptarë në vende të ndryshme amerikano-latine.
Më poshtë Exit.al po sjell një përshkrim të shkurtër të rasteve apo dëshmive që tregojnë lidhjen e trafikantëve shqiptarë me vendet burim të kokainës në Amerikën Latine.
Rasti i parë i njohur është në vitin 2001, kur në Shqipëri u kap grupi i parë kriminal i trafikimit të kokainës kolumbiane në Europë. Policia arrestoi 6 anëtarë anëtarë të grupit, ndër ta Frederik Durda dhe Sokol Koçiu, ky i fundit në atë kohe ishte oficer në Prokurorinë e Përgjithshme.
Operacioni “Operación Journey” i agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, vërtetoi se ky grup kishte patur, që prej vitit 1999, kontakte me kartelin kolumbian të Medellínit, një nga kartelet më të mëdha të drogës në botë, dhe ishte pjesë e një rrjeti të madh ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
Kokaina nisej nga Kolumbia në Spanjë dhe më pas në Shqipëri, ku përgatitej dhe bëhej gati për t’u futur në tregun evropiano-perëndimor. Hetimet për këtë grup nisën nga DEA në vitin 1999. Në vitin 2000 u arrestuan 43 anëtarë të rrjetit kriminal dhe në 2001 u arrestuan anëtarët e rrjetit në Shqipëri. Hetimi 2-vjeçar dëshmoi se përmes dhjetëra anijeve ishin transportuar të paktën 60 tonë kokainë nga Kolumbia dhe Venezuela në Europë.
Ky rast ishte domethënës, pasi tregoi që krimi shqiptar kishte filluar të kthente vëmendjen drejt trafikut të kokainës, ndërsa deri atëherë aktiviteti i njohur i grupeve kriminale shqiptare ishin vjedhjet, prostitucioni, trafiku i personave dhe i kanabisit.
Në dekadën që pasoi, përfshirja e organizatave kriminale shqiptare u rrit gradualisht. Në vitin 2011, Departamenti Amerikan i Shtetit foli për herë të parë për bashkëpunimin e grupeve kriminale shqiptare me ato kolumbiane për trafikimin e kokainës në Evropë. Në këtë vit, u kapën edhe rastet e para të ngarkesave me kokainë me destinacion Shqipërinë.
Më 22 mars 2011, hetimet në portin e Tarragonas në Katalonia gjurmuan një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës. Një grup i lidhur me kartelet kolumbiane dërgonte kokainë nga Kolumbia në Spanja dhe Belgjikë, duke e shkrirë drogën në vaj palme. 52 fuçi me vaj të tillë u identifikuan në portin e Antverpit, të porositura nga një kompani në Gjirokastër, në pronësi të Dhimitraq (Vullnet) Harizajt. Droga e ardhur me anije në Antverp u transportua me kamionë drejt Gjirokastrës, e gjurmuar nga policitë e disa shteteve në rrugëtimin e saj. Pasi droga arriti në destinacion, ajo u sekuestrua nga policia, e cila arrestoi Dhimitraq Harizajn, që u dënua me 12 vjet burg.
Ky rast tregoi se tashmë ishte vendosur një rruge e re e trafikimit të kokainës drejt Europës përmes Shqipërisë.
Më 12 qershor 2014, policia zbuloi në Laç një laborator kokaine dhe heroine, në një vilë në pronësi të ish-policit Gëzim Çela, 46 vjeç, i dënuar me 6 vite burg në Turqi dhe me 11 vite në Itali për prostitucion dhe trafik droge. Policia arrestoi 11 persona, ndërkohë që shpalli në kërkim Çelën, i dyshuar si kreu i grupit.
Policia gjeti në laborator 7 kilogramë kokainë, 18 kilogramë heroinë dhe rreth 850 litra përzierës, të sjellë nga vendet e Amerikës së Jugut. U gjetën gjithashtu rreth 100 kilogramë marijuanë. U sekuestruan një makinë e blinduar dhe armë, si pistoleta, snajperë dhe granata dore.
Më pak se një vit pas zbulimit të laboratorit në Laç, më 14 janar 2015, policia shqiptare zbuloi një tjetër laborator droge, në Xibrakë të Elbasanit. Ky ishte laboratori më i madhi i kapur ndonjëherë në Ballkan.
Policia u vu në lëvizje pas informacioneve të marra nga autoritetet gjermane. Në magazinat e ish-depos së rezervave të shtetit, policia kapi 121 kilogramë drogë, prej të cilëve 100 kilogramë ishin kokainë e përzierë, 18 kilogramë kokainë e pastër dhe 3 kilogramë e papërpunuar. Në laborator u zbuluan gjithashtu rreth 4 tonë përzierës, të sjellë nga Kolumbia dhe Bolivia.
Nëntë persona u arrestuan, mes të cilëve dy shtetas kolumbianë Cesar Avila dhe Valter Moreno, ekspertë të përpunimit të kokainës.
Tashmë Shqipëria ishte vendosur në hartën e trafikut të drogës nga Amerika e Jugut. Bandat shqiptare po rrisnin gradualisht ndikimin në trafikun e kokainës në Evropë, duke kaluar gradualisht nga transportues të kokainës kolumbiane në kontrollues të të gjithë trafikut.
Më 5 qershor 2014, nga Ekuadori mbërriti në Mal të Zi një ngarkesë me 250 kilogramë kokainë, e fshehur në një kontenier bananesh. Ngarkesa ishte porositur nga kompania Rrapo, në pronësi të Dritan Rrapaj dhe të ëmës Nezike Rrapaj në Fier. Destinacioni i drogës, me vlerë 12,5 milionë euro, ishte Italia dhe Franca, por hetimet e autoriteteve shqiptare nuk gjetën prova që ta përfshinin familjen Rrapaj në trafik.
Më 7 qershor 2014, në Ekuador u arrestua Dritan Rexhepi (34 vjeç) nga Vlora dhe dhjetëra të tjerë pas një operacioni policor në Quito, ku u kapën 278 kilogramë kokainë. Rexhepi mbante emër të rremë, por u identifikua falë të dhënave të Interpolit, pasi dyshohej për një sërë krimesh të rënda, përfshi vrasje me pagesë, trafik droge dhe grabitje bankash në Belgjikë, Holandë, Itali dhe Spanjë. Në Shqipëri ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1999.
Më 30 maj 2017, u vra në një lagje të Guayaquilit në Ekuador Ilir Hidri, 40 vjeç, nga Vlora. Autoritetet vendase e lidhën vrasjen e tij me trafikun e drogës.
Pak muaj më pas, në të njëtin qytet, më 8 nëntor 2017 u sulmua Remzi Azemi nga Kosova. Ai u qëllua me 4 plumba teksa po udhëtonte me bashkëshorten dhe vajzën e tij me një makinë të blinduar, dhe i mbijetoi atentatit. Azemi kishte shtetësi ekuadoriane dhe jetonte prej 8 vitesh atje. Autoritetet e Ekuadorit po e hetonin për trafik dhe për lidhje të mundshme me vrasjen e Ilir Hidrit.
Më 27 shkurt 2018, u kap në Maminas ngarkesa më e madhe e kokainës në Shqipëri. Pas njoftimeve nga Gjermania, Policia shqiptare kapi 613 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 180 milionë euro. Ngarkesa vinte nga Kolumbia dhe i përkiste rrjetit Clan del Golfo. Ajo u gjet brenda një kontenieri me banane të porositura nga kompania “Arbri-Garden” në pronësi të Arbër Çekajt. Ky u arrestua në Dusseldorf të Gjermanisë më 4 maj 2018. Sipas burimeve nga Policia, në dhjetor të vitit 2015, policia kishte kapur 90 kilogramë kokainë në Ekuador, sërish të porositura nga Arbër Çekaj.
Në prill 2018, në Bogotá u vra Adriatik Lagji nga Saranda, i cili jetonte prej 14 vitesh në Kolumbi. Sërish dyshimi kryesor për vrasjen e tij është përplasja për trafikun e kokainës.
Më 1 maj 2018, në një operacion të DEA-s amerikane dhe policisë spanjolle u arrestuan në Spanjë Julian Deblini (Gjoka) dhe Dritan Gradica (Arjan Ndoci), si dhe tre persona të tjerë. Ata ishin pjesë e një rrjeti që trafikonte kokainë nga Kolumbia me anë të fluturimeve charter. Atyre iu kap rreth 1 ton kokainë e importuar nga grupi Clan del Golfo dhe 1,5 milionë euro në të holla. Aktiviteti i grupit shtrihej edhe në Shqipëri, si për trafikun e drogës, ashtu edhe pastrimin e parave.
Më 19 tetor 2018, policia zbuloi laboratorin e tretë të drogës në vend, në fshatin Brenog të Hasit. Policia kapi 100 kilogramë opium me prejardhje nga Azia, e cila shërbente si lëndë e parë për prodhimin e heroinës. Përzjerësit e përdorur për prodhimin e drogës ishin importuar nga Kolumbia. Policia arrestoi 5 persona, ndërsa 17 persona u shpallën në kërkim, përfshi dy shtetasit turq Iskander Saleh dhe Nedjet Cersuroglu. Pronari i laboratorit ishte Admir Hoxha. Më 24 janar 2019, turku Nedjet Cersuroglu u gjet i vdekur në një apartament në qytetin e Prishtinës në Kosovë, në rrethana të paqarta.
Hetimet vërtetuan përfshirjen e 4 grupeve kriminale të trafikut të drogës që shtrijnë aktivitetet e tyre në Shijak, Lezhë, Fier dhe Sarandë. Sipas policisë, laboratori mund të ketë prodhuar më shumë se 180 kilogramë drogë.
Më 30 janar 2019, për llogari të autoriteteve italiane policia shqiptare arrestoi në zonën e ish-bllokut në Tiranë, Dorian Petokun. Sipas mediave italiane, ai ishte i përfshirë me klanin roman të Casamonicas, që trafikonte 5 deri në 7 ton kokainë në vit nga Amerika Latine në Itali. Petoku, së bashku me një shtetas malazez, thuhet se kishte rolin e ndërmjetësit të çmimit të drogës me narkotrafikantët kolumbianë.
Në mars 2019, Departamenti i Shtetit në raportin e tij vjetor për trafikun e drogës shprehet se tashmë Shqipëria është bazë operacionale për grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogës nga Amerika Latine në Europë.