Në Itali Presidenti Meta takon… “xhihadin”!

Në Itali Presidenti Meta takon… “xhihadin”!

Javën e kaluar, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta zhvilloi një vizitë zyrtare në Itali, ku takoi homologun e tij Sergio Mattarella, Ministrin e Jashtëm Angelini Alfano, drejtuesit e Kuvendit dhe Senatit italian Laura Boldrini dhe Pietro Grasso, dhe një delegacion të grupit të miqësisë parlamentare Shqipëri-Itali (kjo e fundit nuk ishte përfshirë në axhendën zyrtare).

Në ndryshim nga Presidenti i Serbisë Vuçiç, në vizitë zyrtare në Romë në fund të korrikut, Ilir Meta nuk takoi, as për një përshendetje, Kryeministrin Gentilioni.

Në Itali vetëm agjencitë kryesore të lajmeve dhe faqet zyrtare të institucioneve e publikuan lajmin e vizitës së Presidentit Meta. Nuk u mbajt ndonjë ndonjë konferencë për shtyp, nuk u zhvillua as ndonjë intervistë e gjatë me ndonjë nga gazetat kryesore kombëtare, veprime standarde këto të protokollit italian për personalitet e larta që vizitojnë zyrtarisht Italinë.

Në fakt, vizita përfundoi vetëm në një intervistë me tetë pyetje të publikuar në gazetën “La Stampa” të Torinos e nënshkruar nga gazetarja Francesca Paci, një gazetare shumë e specilaizuar në çështjet e islamit dhe të Lindjes së Mesme, por as redaktore e as të paktën penë e rëndësishme e gazetarisë italiane.

Pra, vizita zyrtare e Presidenti Meta ndodhi, por në një klimë pak të varfër dhe të shkëputur, sikur diplomacia italiane të donte të theksonte—pas shumë manifestimesh të vëmendjes dhe mbështetjes pa kushte ndaj Shqipërisë—se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nuk po shkojnë ashtu sikurse duhet.

Në gjuhën diplomatike ndryshimet ndërmjet vizitave zyrtare apo vizitave të punës shërbejnë si mjete për të përcjellë mesazhe të caktuara, përmes llojit të takimeve të futura në axhendë, konferencave të përbashkëta për shtyp, apo intervistat në shtypin kombëtar apo në kanalet televizive. Në veçanti, takimi i parë zyrtar i një kreu shteti apo qeverie të huaj është gjithmonë një shfaqje pozitive diplomatike, një deklaratë interesi dhe miqësie.

Prandaj është një sinjal shumë pozitiv për Shqipërinë që Presidenti i sapozgjedhur Meta zhvilloi një vizitë zyrtarë në Itali, vetëm disa javë pas fillimit të punës, ashtu sikurse është një sinjal pozitiv për Italinë që Meta vendosi të kryejë vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit në Itali.

Por një kryetar shteti në takime zyrtare nuk është thjesht një njeri politik me historinë, marrëdhëniet, lidhjet dhe miqësitë e tij vetjake. Në atë moment ai përfaqëson ekskluzivisht shtetin e tij, dhe e gjithë ajo që ai merr në vëmendje dhe protokoll i jepet si mesazh zyrtar për vendin e tij.

Nuk është rastësi që Kryeministri Edi Rama, prej katër vjetësh dhe as tani që ka fituar shkon në Itali gati çdo javë për çështje private, por nuk ka marrë ndonjë ftesë për vizitë zyrtarë në Itali, ndërkohë që vizitat e panumërta në delegacione, të publikuara gjerësisht në shtypin shqiptar, në kanalet zyrtare të Republikës Italiane rezultojnë të gjitha të klasifikuara si “vizita pune”.

Po ashtu nuk është rastësi heshtja e gjatë dhe “shpërqendrimi” komptimplotë i ambasadorit italian në Tiranë.
Më shumë se nga përgjigjet e Presidentit Meta, shpjegimi, mesazhi diplomatik, ndoshta mund të kuptohet nga pyetjet e gazetares Francesca Paci në intervistë. Nga tetë pyetje, dy ishin për Evropën, një për luftën kundër korrupsionit, një mbi varfërinë në Shqipëri dhe vështirësitë e të rinjve, dhe katër pyetjet e tjera ishin për xhihadin shqiptar dhe monitorimin e kufijve për të ndaluar terroristët islamikë.

Nuk i takon Exit.al të interpretojë mesazhet zyrtare diplomatike italiane për Shqipërinë, por ndoshta edhe në Itali e kanë kuptuar se modeli politik shoqëror i përqafuar vitet e fundit në Shqipëri mund të sjellë përkeqësim shoqëror dhe ekonomik, që në kuadrin e korrupsionit të përhapur gjerësisht, mund të krijojë, pikërisht në kufi me Italinë, një “zonë gri” të depërtueshme nga këto dukuri që shqetësojnë gjithmonë e më shumë sigurinë italiane. E janë pikërisht këto kufij që kriminaliteti i drogës shkel çdo ditë pa asnjë kundërshti efikase nga ana e qeverisë shqiptare.

Pra, loja ndërlikohet: Italia pretendon që autoritetet shqiptare të kontrollojnë në mënyrë efikase kufijtë e vendit, por për të qenë bindës këta të fundit duhet të ndërpresin trafikun e drogës, ose përndryshe t’i shpjegojnë Italisë se trafiku i drogës nuk kontrollohet nga forca të errëta kriminale (dhe si të tilla të rekrutuara nga xhihadi), që do të thotë se, për rrjedhojë, kontrollohet nga qeveria, çfarë do të kishte pasoja të tjera.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>