Kryeministri Rama ka komentuar më shumë për Juventusin e Barcelonën se sa për situatën e drogës në Facebook. Kryeministri vetëm në fjalim e Asamblesë së PS-së të mbajtur më 3 prill, ka përmendur pesë herë Juventusin dhe katër herë Barcelonën:
Meqë Partia Socialiste është bërë si Juventusi, që vetëm fiton e pas çdo fitoreje akuzohet nga kundërshtarët e lodhur se fiton me hile, thashë se ky është vendi më i mirë për t’i bërë Erjonit, dhuratën e 45 vjetorit. Është albumi i historisë së lavdishme të Juventusit, që e kanë firmosur enkas për shokun Erjon, shokët Gigi Buffon, Gonzalo Higuaín, Chiellini, Marchisio e të tjerët me radhë.
Juventusi do luajë me Barcelonën, Barcelona do luaj me Juventusin. Datat janë caktuar, as njëra, as tjetra nuk kërkojnë shtyrjen e datës së ndeshjes. Prandaj e ftoj Partinë Demokratike të marrë shembull nga Barcelona. Data e zgjedhjeve nuk shtyhet!
Pavarësisht se shanset që Barcelona të kualifikohet për më tej janë 50%, ndërsa shanset që Partia Demokratike të kualifikohet në 18 qershor për të qeverisur, janë njësoj sa shanset e Saliut për të zëvendësuar Luiz Enrique-n, në fundin e sezonit.
Kjo shkëputje e Kryeministrit nga realiteti u bë më e qartë dje — ndërsa një laborator modern për përpunimin e kanabisit u zbulua në një magazinë në Skrapar, i vetmi koment politik që bëri Kryeministri ishte postimi në Facebook i posterit të Kryetarit të opozitës Lulzim Basha me dixhiturën:
“Ftoj të gjithë tifozët e Barcelonës të futen tek çadra jonë e të mos dalin që aty deri sa të përsëritet ndeshja”.
Me anë të këtyre deklaratave, Kryeministri ka dy qëllime: të duket indiferent dhe i vetësigurt në situatën aktuale duke shpërfillur opozitë; të duket interesant dhe i veçantë përpara njerëzve të thjeshtë.
Në të vërtet kjo është indiferencë e sfrocuar që tregon pasiguri dhe humbje të sensit të realitetit, të rëndësisë që ka detyra e tij dhe të situatës politike me të cilën ai ndeshet.