Ministri teknik i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Naqe Çulev, theksoi sot se autoritetet kapën vetëm 1 kilogramë kokainë dhe jo 1,3 tonë sa u raportua të mërkurën. Çulev deklaroi se detaje të reja do të bëhen publike të premten.
Droga u gjet në fshatin Krushopek, rreth 8 kilometra në perëndim të Shkupit. Ajo ishte transportuar bashkë me një ngarkesë bananesh nga Kolumbia drejt porti të Barit në Mal te Zi, por që sipas Top-Channel, policia italiane e kishte pikasur, kishte zhvendosur narkotikët duke lënë vetëm 1 kilogrmë të gjurmuar me GPS.
Autoritetet prisnin që sasia e drogës të shkonte në Koper të Sllovenisë, por ka rezultuar që ajo ka bërë rrugë tjetër.
Ngareksa mësohet se është lëvizur me kamion duke kaluar nga Shqipëria. Ka kaluar prej Hanit të Hotit më tej në Qafë Thanë drejt Maqedonisë – duke mos kaluar nga rruga tjetër rreth 2 orë më e shkurtër, që kërkonte kalim nga Kosova. Autoritetet shqiptare thuhet se kishin marrë informacion nga DEA dhe Guardia di Finanza. Ndaj është lejuar të qarkullojë.
Deri më tani janë arrestuar 4 persona me inicalet: R.E; J.I; J.K dhe S.E, ky i fundit pronar i kompanisë së frutave që kishte importuar ngarkesën.
Vlen të theksohet se një itenerar i ngjashëm me transport kokaine nga Amerika e Jugut, fshehur në ngarkesa frutash ekzotike, është përdorur nga grupet shqiptare të narkotrafikut.
Rreth 1,2 tonë kokainë u kapën në Greqi në fillim të këtij viti. Pas kësaj ngarkese qëndronin të paktën 2 grupe shqiptare. Në gusht-shtator 2019 po në Greqi u kapën 700 kilogramë kokainë të fshehur në 12 kontenierë bananesh që vinte nga Ekuadori.
Nga kjo sasi, 4 kontenierë kishin si destinacion Durrësin dhe mbanin një sasi prej 137 kilogramë drogë.
Autoritetet greke, ato amerikane dhe shqiptare vendosën të lejonin lëvizjen për në Durrës nën mbikëqyrje me qëllim kapjen e porositësve. Ata e zëvendësuan ngarkesën me oriz të presuar.
Mirëpo i ashtuquajturi operacioni Quito u shoqërua me pikëpyetje dhe dyshime për dekonspirim. Ngjashëm me aksionin e vitit të 2018 në Maminas ku u kapën 613 kilogramë kokainë, policia nuk lidhi asnjë bandë apo grup kriminal me ngarkesën.
Rezultat i ngjashëm duket aktualisht edhe ai i përfunduar me 1,3 tonët në Maqedoninë e Veriut, ku autoritetet kanë arrestuar deri më tani vetëm shoferët, punonjësit dhe pronarin e kompanisë.