Në ndihmë të Zonjës Topalli për të kuptuar Makbethin e Shekspirit

Nga Alba Mborja
Në ndihmë të Zonjës Topalli për të kuptuar Makbethin e Shekspirit

Jozefina Topalli sulmoi dje Lulzim Bashën pas një takimi që ky i fundit zhvilloi me deputetët e sapo zgjedhur demokratë. Mërzia e Zonjës Topalli ka të bëjë me faktin se zyrtarisht deputetë janë ende ata të legjislaturës së vjetër, përfshi vetë atë, ndërsa deputetët që dolën nga zgjedhjet e qershorit do të jenë zyrtarisht të tillë vetëm pas betimit në Kuvend, javën e parë të shtatorit.

Në një postim në Facebook të titulluar “Moj kohë, rend me shpejt se tmerri im”të cilin e ka shoqëruar me një foto të sajën ku është duke vështruar lart, me sa duket nga Zoti—Zonja Topalli derdh një sërë sulmesh kundër Zotit Basha, të cilat i përmbyll me fjalët:

Ky që nuk mblidhte grupin parlamentar kur e detyronte statuti, kur e kërkonte koha dhe deputetët që thirrnin me shqetësim që të mos çonte PD drejt greminës (siç ndodhi në fakt siç e paralajmeruam), sot mbledh listën e tij klienteliste familiare me shpresë se pas kësaj do shpëtojë nga ankthi i manipulimit dhe fallsifikimit të pjesëmarrjes të 22 Korrikut dhe rezultatit katastrofal me minus 230 mijë vota të 25 Qershorit.

Krejt si Makbethi, kur flet me vete e përshpërit: “Moj kohë, rend me shpejt se tmerri im.”

" Moj kohe , rend me shpejt se tmerri im."Sot kur ,KQZ miratoi me 7:0 rezultatin perfundimtar te 25 qershorit , ku e…

Posted by Jozefina Çoba Topalli on 26 Iulie 2017

 

Citimin nga Makbethi Zonja Topalli duket se e ka përdorur jo vetëm për fuqinë e madhe që mbartin fjalët shekspiriane, por edhe për të shfaqur haptazi intelektualizmin e saj.

Përmes fjalëve shekspiriane, duket se ajo ka dashur të thotë se Lulzim Basha nuk mund të gjejë dot shpëtim nga ankthi për ato që ka bërë, sepse siç thotë Makbethi (i interpretuar nga Zonja Topalli) koha nuk ja zbeh dot tmerrin e ankthit që ai ndjen.

Gabim! Fjalët e Makbethit përdorur nga Zonja Topalli kanë tjetër kuptim nga ai që ajo mendon se ato kanë. Ose Zonja Topalli nuk e ka kuptuar dot domethënien e tyre, sepse përkthimi i Nolit është i dobët në këtë pjesë dhe nuk përcjell qartë orgjinalin, ose ndoshta nuk e ka lexuar fare Makbethin dhe e ka përdorur citimin nga hiçi.

Sidoqoftë, për ta ndihmuar Zonjën Topalli të kuptojë fjalët që ka përdorur vetë, po i shpjegojmë më poshtë shkurtimisht domethënien e tyre.

Fjalët e cituara, Makbethi i thotë në fillim të monologut të tij, në fund të skenës së parë të aktit të katërt. Në këtë pikë, Makbethi nuk ka më asnjë brerje ndërgjegje, nuk ka frikë dhe as ndonjë vuajtje shpirtërore. Me fjalët që ai flet me vete më zë të alrtë ai shprehet se tani duhet të veprojë pa u menduar, pa arsyetuar më parë, sepse arsyetimi pengon veprimin. Ndaj Makbethi thotë se ai nuk do ta dëgjojë më arsyen por vetëm thirjet e brendëshme emocionale dhe do të veprojë siç i thonë këto impulse.

Monologu në origjinal është:

Time, thou anticipatest my dread exploits:

The flighty purpose never is o’ertook

Unless the deed go with it; from this moment

The very firstlings of my heart shall be

The firstlings of my hand. And even now,

To crown my thoughts with acts, be it thought and done:

The castle of Macduff I will surprise…

Përkthimi i Fan Nolit është:

Moj kohë, rend më shpejt se tmerri im:

Qëllimi im fluturak s’arrihet kurrë

Veç n’e përcjelltë edhe vepra bashkë.

Që këtë cast kulloshtr’ e zemrës sime

Ka për të qenë dhe kulloshtr’ e dorës.

Dhe që tani, që ta kurorëzoj

Mendimin tim me veprim të shpejtë,

Ja, posa e mendova dhe e bëra;

Do ta bastis kështjellën e Makdafit…

Perifrazimi në shqip i tekstit:

Kohë, ti m’i parandalon veprat e tmerrshme që planifikoj:

Koha e zbeh qëllimin dhe bën që ai të mos shoqërohet me vepra

Ndaj nga ky çast e tutje unë do të veproj menjëherë

Për çdo impuls të zemrës sime. Që tani,

për t’i venë në jetë mendimet, që atë që them ta bëj,

do ta sulmoj në befasi kështjellën e Makdafit…

Nga perifrazimi është e qartë se përdorimi i citatit nga Zonja Topalli është kryekëput i gabuar dhe ndoshta ajo e ka përdorur atë pa e lexuar ose të paktën pa e kuptuar Makbethin.

Shënim: Duke përfituar nga rasti, Exit njofton politikanët dhe intelektualët e të gjitha llojeve e fushave se ofron pa pagesë për ta vargje, komente e perifrazime nga vepra të mëdha letrare dhe jo letrare, citate nga njerëz të famshëm, thënie latine dhe antike, fjali turli që tingëllojnë si shprehje të thella, reflektime të ndjera shpirtërore, si dhe bejte me metrika e ritme të të gjitha llojeve. Na shkruani me kërkesat tuaja në [email protected].

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>