Plani i Bashkisë së Tiranës për Parkun e Liqenit duket se parashikon ndërtimin e terreneve sportive, një godine bar-restorant dhe një urë mbi liqen, krahas këndit të lojrave për fëmijë që u bë publik ditët e fundit.
Këto të dhëna gjenden në një draft të masterplanit të Parkut, hartuar nga firmat Willson+Bolles dhe Atelier 4, firmosur në datën 25 shtator 2015.
Sipas dokumentave, pranë këndit të lojrave do të ketë një ndërtesë që do të shërbejë si bar-kafe, e cila do të ketë një tarracë funksionale, ku do të vendosen kioska akulloresh e gazetash dhe një pistë vallëzimi.
Ky ndërtim është justifikuar si i nevojshëm për prindërit, ndërsa fëmijët e tyre luajnë në këndin e lojrave.
Peter Wilson, njëri prej arkitektëve ideues të këndit të lojrave, deklaroi dje në një intervistë televizive se përveç terreneve sportive do të ketë edhe një urë mbi liqen. Kjo deklarata e Zotit Wilson hedh dyshime të reja mbi përmasat dhe përmbajtjen e vërtetë të projektit të parkut, pasi terrenet sportive dhe ura që ai përmend nuk janë bërë publike asnjëherë.