Në prag të krizës energjitike, ministrat nuk miratojnë VKM për blerje energjie

Në prag të krizës energjitike, ministrat nuk miratojnë VKM për blerje energjie

Shqipëria mund të përballet së shpejti me një krizë të energjisë elektrike. Mosmarrëveshjet mes ministrave, si dhe mungesa e reshjeve të shiut janë shkakëtarët kryesorë të kësaj krize.

Aktualisht niveli i ujit në Fierzë është shumë pranë pikës kritike. Operatori i Shëprndërjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), i cili pas marrëveshjes Rama-Basha, u drejtua nga një drejtor teknik, nuk ka blerë energji elektrike gjatë muajit qershor.

Po ashtu, disa ministra, mes tyre dhe katër ministra teknikë, nuk kanë miratuar një VKM, që do t’i vinte në dispozicion Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) 22,4 milionë euro, kredi e ofruar nga Banka Botërore,  për blerjen e energjisë.

ZëvendësKryeministrja Ledina Mandija sqaroi arsyet se përse 4 ministrat e emëruar nga PD nuk e kanë miratuar VKM dhe shpjegoi se përse mosmiratimi i tyre, gjithsesi nuk e bllokon VKM-në të miratohet.

ZëvendësKryeministrja Mandija hodhi poshtë pretendimet e disa mediave se shkak për mosblerjen e energjisë dhe shkaktimin e krizës janë ministrat teknikë, duke bërë të ditur se ka një grup tjetër ministrash që nuk e kanë miratuar VKM-në.

“Këshilli i Ministrave i miraton vendimet me shumicë të thjeshtë. Rrjedhimisht, mosmiratimi i vendimit nga një pjesë apo qoftë edhe të gjithë ministrat teknikë (7 nga 19 ministra në total) nuk përbën pengesë për miratimin e këtij vendimi nga pjesa tjetër e ministrave që përbëjnë shumicën,” shpjegoi Zonja Mandija.

Zonja Mandija tha se “procedurat për miratimin e VKM-së ishin jo transparente, mungonte analiza e detajuar dhe mendimi paraprak i detyruar i ministrit të Drejtesisë dhe atij të Financave.”

Sipas zëvendëskryeministres, përgjegjësia kryesore bie mbi ekipin drejtues të OSHEE-së që gjatë muajit maj nuk ka hapur tender për blerjen e energjisë, duke detyruar KESH që gjatë muajit qershor të përdorë rezervat e pakta ujore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>