Në pritje të darkës së Kryeministrit me gazetarët – Koment

Në pritje të darkës së Kryeministrit me gazetarët – Koment

Sot, Kryeministri Rama do të japë një darkë për gazetarët. Është viti i dytë që ai imiton darkën vjetore që jepet, prej vitit 1920, nga Shoqata e Gazetarëve të Akredituar në Shtëpinë e Bardhë në Washington, në të cilën merr pjesë, thuajse përherë, Presidenti i SHBA-ve.

Në gati 100 vjet dhe nga gati 200 vende në botë (aktualisht) askund nuk ishte kopjuar ndonjëherë ky aktivitet specifik historik amerikan, deri sa vendosi ta kopjojë Kryeministri ynë. Veçse si çdo herë tjetër, imitimi është bërë në mënyrë të përçudnuar – në SHBA darkën e organizon shoqata e gazetarëve, e cila vendos se ku mbahet, kush ftohet, kush flet dhe çdo detaj tjetër të darkës, ndërsa në Shqipëri çdo gjë, përfshi edhe gazetarët që flasin, i cakton vetë Kryeministri.

Duket se Kryeministri Rama ka vendosur të kopjojë një aktivitet të Presidentit Obama pa e kuptuar mirë që ai nuk është aktivitet i tij por i gazetarëve. Prandaj vjet, duke pranuar kopjimin, ai nuk ju referua origjinalit me emrin zyrtar “Darka Vjetore e Korrespondetëve të Shtëpisë së Bardhë”, por e quajti darka e Presidentit Obama me gazetarët:

“Sigurisht që ky është një format i kopjuar edhe pse unë ngurroj ta krahasoj me origjinalin. Në mbrëmjen vjetore të Presidentit Obama me trupën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë, se të paktën në këtë drejtim, unë nuk jam Barack Obama dhe ju nuk jeni gazetarët e Shtëpisë së Bardhë…”

Por nëse ideja e kopjimit ishte keqe, fjalimi i Kryeministrit në darkën e vjetshme ishte akoma më i keq – një fjalim që, si një gjellë turli pa shije, përzjeu batutatat vulgare me kunjat personale, talljet ndaj të ftuarve, thashethemet, përpjekjet për vetëglorifikim, citate të figurave historike të gjetura në Google por të keqcituara e të keqpërkthyera.

Fjalimi ngjalli disa kritika e pati nga ata që menduan se darka nuk do të mbahej më. Por Kryeministri i ka ftuar sërish gazetarët që të grumbullohen për të ngrënë gjellën e tij. Gjykuar nga darka e vjetshme dhe nga qëndrimet e Kryeministrit gjatë vitit që shkoi, zor të mendohet se darka ofrohet nisur nga respekti i tij për median apo traditën e akoma më pak nga nevoja e tij për të përcjellë ndonjë mesazh të rëndësishëm. Me sa duket, ajo bëhet thjesht dhe vetëm në funksion të egos e interesit të personal të Kryeministrit, për një sërë motivesh.

Së pari, darka i jep Kryeministrit kënaqësinë cinike t’ i rrjeshtojë të gjithë ata që e kritikojnë ku, kur dhe ashtu si do ai; kënaqësinë që ata nuk i thonë jo edhe pse ai i tall, i fyen, i ofendon; ndoshta kënaqësinë e konfirmimit të mendimit se ata e kritikojnë ngaqë duan vëmendjen e tij e jo për parime.

Së dyti, darka jep në publik mesazhin që kritikat dhe vërejtjet e medias nuk duhen marrë seriozisht nga qytetarët. Ja ku janë kritikuesit duke ngrënë e qeshur me të! A do ta bënin ata këtë gjë nëse ai është vërtet autokrat dhe i korruptuar?! Natyrisht që jo! Ndaj kritikat e tyre duhen marrë lehtë, pasi në fund të fundit, edhe pse kritikë, ata e duan dhe e respektojnë udhëheqësin. Qindra fotot që shumë nga pjesëmarrësit në darkë do të shkrepin e postojnë të lumtur e me mburrje në rrjetet sociale, do jenë në sytë e publikut, me qëllim apo pa qëllim, dëshmi e këtij pëlqimi për të.

Në darkën e vjetshme, Kryeministri Rama e shprehu haptas këtë mendim kur u shpreh:

Është privilegj i madh, realisht, që të kesh një detyrë si e imja që të jep mundësinë fatlume që në prag të Krishtlindjeve të kesh një darkë si kjo, me njerëz që të kanë quajtur “rrezik diktatorial”, “lider frikacak”, madje edhe pa moral; të festosh me njerëz që janë munduar tërë vitin që t’i tregojnë popullit anën e errët, anën e fshehtë, anën e dyshimtë të përpjekjeve të tua dhe atyre që të rrethojnë dhe të gëzosh me njerëz të cilët punojnë përditë që të mos të lënë t’i gëzohesh një suksesi.”

Së treti, darka tregon që Kryeministri do të tregojë që është udhëheqës ndryshe. Që është tolerant, zemërgjerë, i kuptueshëm, ndryshe nga Berisha apo të tjerët para tij. Ndaj edhe nëse ai keqqeveris edhe nëse ai korruptohet, kjo është diçka aq e keqe relative pasi ai nuk është autokrat apo hakmarrës apo i dhunshëm. Këtë ide, gjithashtu, e hodhi qartë në fjalimin e vjetshëm, teksa u shpreh:

“Lejomëni ta ndaj me ju të gjithë kënaqësinë se askush prej jush nuk mungon këtu, se është në burg. Kush mungon, nuk ka dashur të jetë këtu dhe prapë nuk ka për ta gjetur asgjë, nëse nuk kapet duke vjedhur energjinë, natyrisht.”

Së katërti, darka i jep një mundësi ndryshe për t’i folur popullit dhe për të dalë media. Kryeministri Rama, sikurse edhe të tjerë para tij, nuk ndjejnë se ekzistojnë po nuk dolën në televizor e t’i flasin popullit. Pa daljet në media ata ndjehen sikur kanë marrë fund, sikur janë harruar, sikur puna dhe vepra e tyre nuk po njihet nga populli.

Ndërsa interesi i Kryeministrit në këtë darkë kopje “alla gabi” është i qartë, nuk dimë ende si e shohin gazetarët këtë aktivitet propagandistik të Zotit Rama. Ndoshta vendimi i tyre për të marrë pjesë do të ndikohet nga zhvillimet që kanë ndodhur që nga darka e fundit.

Së pari, gjatë vitit që shkoi Kryeministri ka qenë në mënyrë të vazhdueshme i ashpër me median duke e përçmuar dhe vëne mjaft epitete si “kënetë”, “të shitur”, “të pandershme”, etj.

Së dyti, gjatë vitit që shkoi tentoi që të bëntë një ligj kundër lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.

Së treti, nëse deri para një viti kishte dyshime mbi cilësinë e qeverisjes dhe ndershmërinë e Kryeministrit, sot nuk ka pothuajse fare dyshime se qeverisja e tij është klienteliste dhe dhe ai vetë i korruptuar.

Së katërti, në darkën e ftuar Kryeministri u tall në mënyrë përbuzëse dhe jo etike me disa nga të ftuarit e tij. Madje, direkt apo indirekt, disave prej tyre ai iu drejtua me emra të turpshëm.

Megjithatë, mbetet për t’u parë, sot në mbrëmje, si i mendojnë dhe i gjykojnë gjërat, nga njëra anë, Kryeministri Rama dhe, nga ana tjetër, njerëzit e medias.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>