Në Shqipëri nuk ka 20 mijë italianë—shifra është truk propagandistik

Nga Karl Kuçi
Në Shqipëri nuk ka 20 mijë italianë—shifra është truk propagandistik

Në vitin 2014, Ministri i atëhershëm i Punës Erion Veliaj, gjatë një vizite pune në Romë, për habinë dhe sikletin e homologëve italianë, deklaroi për median se më shumë se 19 000 italianë kishin bërë kërkesë për leje pune në Shqipëri.

Ambasada Italiane nuk e korigjoi këtë deklaratë të pavërtetë. Madje Ambasadori Italian Gaiani sikurse edhe Kryeministri Rama nisën ta përdorin shpesh këtë të dhënë—të rrumbullakosur në njëzetë mijë—e cila përfundoi në faqet e gazetave dhe emisionet e lajmeve të Italisë.

Lindi kështu legjenda metropolitane e emigrimit në kahun e kundërt, e ilustruar me intervista kuzhinjerësh dhe arkitektësh italianë të vetëpunësuar në Shqipëri, që kishte si qëllim nxitjen e prurjeve të reja—pjesë e një orkestrimi më të gjerë propagandistik, bazuar mbi lajme të rreme ose tendencioze, si “taksat me të ulta në rajon”, “regjistrohet një shoqëri brenda ditës”, “jepen me qera kapanone me 1 euro në vit”, “nuk ekzistojnë sindakatat”, “20 000 italianë janë transferuar tashmë në Shqipëri”.

Të gjitha informacione për numrin e italianëve të punësuar në Shqipëri, u mblodhën në mënyrë jo profesionale nga gazetarë mercenarë dhe u pranuan në heshtje nga diplomacia italiane, e paaftë për të kërkuar të vërtetën mbi një të dhënë të ekzagjeruar. Në fakt në në regjistrat AIRE—regjistri civil i italianëve banues jashtë vendit—në atë kohë vështirë të mund të numëroheshin 1 mijë qytetarë italianë banues në Shqipëri, mes të cilëvë kishte shumë shqipëtarë me pasaportë italiane të kthyer nga Italia.

Tashmë që kjo e dhënë e ekzagjeruar është e njohur dhe e cituar nga të gjithë, Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Ministrinë tonë të Punës ka bërë publik një raport, të cituar nga Revista Monitor, se në vitin 2012 numri total i të huajve që punonin në Shqipëri ishte 2 500. Sipas Minsitrisë së Punës numri i tyrë ëhstë rritur dhe në fund të dhjetorit 2015 në Shqipëri punonin 3 139 persona, nga të cilët vetëm 719 ishin qytetarë italianë.

Për të qënë korrekt në arsyetim, duhet shtuar se numri i qytetarëve italianë që punojnë në Shqipëri është pak më i lartë pasi duhen shtuar edhe shumë punonjës publikë italianë me mision në Shqipëri—në ambasadën italiane, asistencën italiane, etj—rreth 900 studentë që frekuentojnë Universitetin e Zonjës së Këshillit të Mirë, një numër i pacaktuar besimtarësh, disa dhjetra vullnetarë të ndryshëm dhe një grup diskret pensionistësh. Ne fakt, sipas nje burimi informal te Ministrisë së Brendshme, në Shqipëri janë rreth 2 000 italianë me leje qëndrimi.

Të dhënat e fundit nxjerrin në pah një tjetër gënjeshtër propagandistike të Kryeministrit Rama, i cili edhe një herë, në vend që të përballet seriozisht me një çështje të rëndësishme dhe jetike sikurse është terheqja e investimeve, kërkon ta zëvendësojë realitetin me truke prej prestigjatorë në një shfaqje cirku.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>