Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve për trajtime të reja kundër kancerit, krahasuar me vendet e tjera në Evropë.
Sipas të dhënave të studimit të Shoqërisë Evropiane për Onkologjinë, në Shqipëri këto testime janë në masën 1,4 persona në 1 milionë banorë në vend. Po të marrimin në konsideratë gjithë popullsinë e vendit, në total vetëm 4 pacientë kanë qasje në testimet për trajtimet e reja kundër kancerit.
Në vend të parë, për numrin më të lartë të pacientëve që kanë qasje u rendit Belgjika, me 107 qytetarë për 1 milion banorë.
Diferenca në këto shifra tregon një pabarazi dhe disavantazh të madh për pacientët në Shqipëri që po luftojnë me kancerin.
Thomas Cerny, Profesor i onkologjisë mjekësore në Universitetin e Bernës, Zvicër, tha:
“Diferenca në numrin e provave klinike për banorë, me më shumë prova në vendet më të pasura, do të thotë se qasja në provat klinike dhe ilaçet inovative thjesht nuk është e mundur për pacientët me kancer që jetojnë në shumë vende më pak të pasura.”
Studimi zbuloi se ndryshimi në numrin e provave klinike në të gjithë vendet në Evropë mund të lidhej drejtpërdrejt me Produktin e Brendshëm Bruto të një vendi – sa më i lartë PBB-ja, aq më e lartë qasja në testime të trajtimeve të reja.
Në përgjithësi, vendet e Europës Perëndimore kana pësuar një rritje prej 33 për qindësh të numrit të provave të kryera në Evropë në vitet 2010-2018 dhe një rritje 61 për qindësh të provave të fazës së hershme. Por vendet e Europës Lindore, për të njëjtën periudhë pësuan rënie në të dy të dhënat.