Rama nuk humbet kohë: në tetor miratohet importi i plehrave

Rama nuk humbet kohë: në tetor miratohet importi i plehrave

Programi i punimeve të Kuvendit për periudhën 18 shtator-13 tetor 2017, ka përfshirë shqyrtimin e dekretit të Presidentit që refuzonte dekretimin e amendamenteve që qeveria Rama i bëri ligjit të mbetjeve.

Ligji i ndryshuar për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti Nishani, i cili e riktheu në Kuvend më 14 tetor 2016.

Kryeministri u përpoq të hidhte poshtë dekretin e Presidentit, pra të rikonfirmonte importin e plehrave, gjatë ditëve të fundit të mandatit të shkuar, veçanërisht duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së opinionit publik për shkak të krizës politike. Kundërshtia e hapur e PD-së dhe hezitimet e LSI-së, si dhe reagimet e ashpra publike, e bënë të pamundur politikisht këtë miratim.

Tani që zgjedhjet janë pas dhe Rama ka siguruar shumicën i vetëm në Kuvend, miratimi i importit të plehrave do jetë veprim i thjeshtë formal.

Importi i mbetjeve u miratua fillimisht nga qeveria Berisha në shtator 2011, në kundërshtimin e ashpër të Partisë Socialiste në opozitë, lëvizjes mjedisore dhe mijëra qytetarëve të thjeshtë të cilët mblodhën firmat e nevojshme ëpr të kërkuar referendum popullor në lidhje me këtë çështje. Anullimi i importit të plehrave u bë një nga premtimet kryesore elektorale të Edi Ramës në vitin 2013. Pas ardhjes në pushtet, në mënyrë simbolike, akti i parë i Edi Ramës ishte ndalimi me ligj i importit të plehrave, çfarë bëri të panevojshëm edhe vendimin e KQZ në lidhje me referendumin popullor për mbetjet.

Por në mënyrë krejtësisht të papritur, pa asnjë diskutim publik apo transparencë, në qershor 2016, Edi Rama vendosi lejimin e importit të plehrave duke amenduar ligjin e mbetjeve dhe duke e bërë atë më liberal ndaj importit edhe se ligji fillestar i qeverisë Berisha.

Importi i plehrave është kundërshtuar gjërësisht nga qytetarët dhe paraqit rrezikshmëri për mjedisin dhe jetën e njerëzve, duke e kthyer vendin në depo të plehrave të vendeve të tjera.

Justifikimet e qeverisë për lejimin e importit kanë qenë të mangëta dhe pak të besueshme. Justifikimi kryesor i qeverisë ka qenë detyrimi për harmonizimin e legjislacionit me atë të BE-së, por kjo gjë u përgënjeshtrua nga BE e cila pranon që Shqipëria është e papërgatitur për mënaxhimin e importit të plehrave nga jashtë.

Vitin e fundit, qeveria ka dhënë me koncesion ndërtimin e tre impianteve të mëdha djegëse (incineratorëve), në Elbasan, Fier dhe Tiranë, dhe një sërë koncesionesh të tjera për landfille, çfarë ka rritur dyshimet se lejimi i importit të plehrave është bërë me qëllim për djegjen apo groposjen në Shqipëri të plehrave të Italisë dhe vendeve të tjera europiane.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>