Negocimi për kushte dhe paga me Albchrome përplas sindikatat e minatorëve

Nga Redaksia
Negocimi për kushte dhe paga me Albchrome përplas sindikatat e minatorëve

Sindikata e re e minatorëve të Bulqizëss ka kundërshtuar që kontrata kolektive e punëtorëve për vitin 2020 me kompaninë Albchrome të nënshkruhet me sindikatën e vjetër.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) akuzon Federatën Sindakale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë (FSPISH), se ajo punon për interesat e kompanisë Albchrome dhe jo për ato të minatorëve.

Në fundjavë SMBB kundërshtoi takimet e FSPISH me kompaninë Albchrome duke pretenduar se ato “nuk përfaqësojnë shumicën e punëtorëve”.

FSPISH deklaroi se kishte zhvilluar më 3 janar takim me përfaqësues të kompanisë Albchrome, të cilës i kishte kërkuar:

  1. Rishikim të vërejtjeve dhënë punëtorëve që morën pjesë në protestat e nëntorit dhe dhjetorit;
  2. Certifikim të normave të punës nga një komision ekspertësh;
  3. Fillim të diskutimit për rritje pagash.

FSPISH thotë se kompania ka rënë dakord për certifikimin e normave të punës dhe po kështu për diskutimin për rritje pagash.

“Ne si FSPISH kërkuam rritje page të pavarur. […] U ra dakord që deri në maj 2020, të jetë përcaktuar lloji dhe mënyra e përfitimeve/benefiteve për punëtorët”.

SMBB reagoi duke thënë se kërkesa për rishikim të normës së punës ka qenë prej kohësh, por që FSPISH dhe Konfederata e Sindikatave (KSSH) nuk e kanë marrë parasysh:

“Normat duhet të rishikohen dhe të vendosen në marrëveshje me minatorët, sipas normave të mëparshme që kanë pasur.”

Në reagimin e saj SMBB thekson se “më 26 dhjetor i ka dërguar Albchrome-it kërkesë për nisjen e bisedimeve për kontratën e re kolektive”, bashkë me formularët e anëtarësimit në sindikatës. SMBB pretendon se ka anëtarë shumicën e punëtorëve dhe për këtë i takon asaj të negociojë me kompaninë.

Prej 22 nëntorit mes minatorëve dhe kompanisë Albchrome ka patur përplasje. Ato nisën pas krijimit të SMBB dhe largimit nga puna të 4 themeluesve të saj. Sindikata e re është konfliktuar edhe me sindikatat ekzistuese, të cilat pretendojnë se kushtet dhe pagat në miniera janë përmirësuar.

Kompania ka hedhur poshtë pretendimet e SMBB, ndërsa sindikatat e vjetra kanë vënë në dyshim synimet dhe mënyrat se si po vepron sindikata e re. Në një shkrim të mëparshëm Exit News ka përmbledhur të gjitha pretendimet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>