Nënë Tereza u shenjtërua sot nga Papa Françesku

Nënë Tereza u shenjtërua sot nga Papa Françesku

Papa Françesku e deklaroi “shenjtë“ Nënë Terezën gjatë meshës së mëngjesit të ditës së dielë në Vatikan.

Qindra mijëra pelegrinë të mbledhur në Sheshin Shën Pjetër të Vatikanit ndoqën ceremoninë e shenjtërimit; ndërsa në vigjile të shenjtërimit në shesh u mbajtën lutje nga mbi 100 mijë besimatarë katolikë.

Vendimi për shenjtërimin e Nënë Terezës ishte marrë më 17 dhjetor 2015.

Nënë Tereza është kthyer në ikonë të Kishës Katolike, për përkushtimin dhe përpjekjet e saj për të varfrit dhe të sëmurët, veçanërisht në Kalkuta të Indisë.

Papa Françesku e ka ngritur lart figurën e Nënë Terezës si model për çiltërsinë me të cilën ajo i përkushtohej të varfërve dhe të ka njohur cilësinë e shenjtë të murgeshës e cila e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj në agoninë e ndjesisë se Zoti e kishte braktisur.

Sipas letërkëmbimeve të saj, Nënë Tereza përjetoi atë që Kisha e quan “një natë e zezë e shpirtit” – periudhë të dyshimit shpirtëror, dëshpërimit dhe vetmisë së përjetuar nga shenjtorët më të mëdhenj. Në rastin e Nënë Terezës kjo periudhë zgjati gati 50 vjet.

Prifti kanadez Brian Kolodiejchuk, i cili udhëhoqi fushatën për shënjtërimin e saj, u shpreh se Nënë Tereza jetoi jo vetëm në varfërinë materiale si të gjithë të varfrit, por edhe varfërinë shpirtërore të atyre që nuk ndjehen të dashur, të kërkuar dhe nuk ndjejnë kujdesin e askujt.

Festimet për nder të Nënë Terezës u zhvilluan jo vetëm në Romë. Në Kalkuta, ku Nënë Tereza kaloi jetën në përkushtim të të varfërve, u mbajt një meshë e veçantë në shtëpinë e saj të dikurshme, ndërkohë që ceremonia e shenjtërimit u shfaq drejtpërdrejt në të gjithë Kalkutën.

Ceremoni të posaçme u organizuan në Shkup, vendin e lindjes së Nënë Terezës, dhe në Shqipëri e Kosovë.

Nënë Tereza lindi më 26 Gusht 1910 në Shkup, si Agne Bojaxhi, nga prindër shqiptarë. Në vitin 1929 ajo shkoi në Indi si murgeshë e Urdhërit të Loretos.

Në vitin 1946, ajo dëgjoi një thirrje hyjnore e cila e ftoi atë ti përkushtohej të varfërve, të harruarve dhe të braktisurve.

Në vitin 1960 ajo themeloi organziatën Misionaret e Bamirësisë, i cili u kthye në një urdhër botëror për murgeshat. Ato identifikohen me veshjen e tyre të bardhë me viza blu.

Në vitin 1979, nënë Tereza asaj iu dha Çmimi Nobel për Paqen.

Ajo vdiq në vitin 1997, në një shtëpi të varfër në Kalkuta.

Në vitin 2003, Papa Gjon Pali II e lumturoi Nënë Terezën duke i hapur rrugën shenjtërimit të saj, që ndër të tjera kërkon të vërtetohen dy mrekulli.

Mrekullia e parë u njoh më 2002, kur një grua 30 vjeçare nga Kalkuta deklaroi se u shërua nga tumori, pasi hoqi dorë nga ilaçet dhe filloi t’i lutej Nënë Terezës.

Mrekullia e dytë u njoh më 2006, kur një burrë me kancer në tru, u shërua pasi të afërmit e tij iu lutën Nënë Terezës.

Për lumturimin e shpejtuar të Nënë Terezës pati shumë kritika. Por Papa Gjon Pali II në atë kohë pohoi se “në ditët tona Zoti na frymëzon modele të reja shenjtërimi”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>