Qeveria ka nëshkruar në 31 korrik marrëveshjen me kompaninë franceze ‘Voltalia’ për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, për prodhimin energjisë elektrike përmes paneleve diellore.
Në një ceremoni në kryministri, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku njoftoi se kompania franceze u shpall fituese e ankandit ndërkombëtar, ku morën pjesë 30 kompani.
Oferta e ‘Voltalias’ propozoi çmimin prej 24.89 euro për megavat, çmim i cili sipas ministres Balluku, është i jashtëzakonshëm.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një ditë të mirë për ekonominë shqiptare sepse ky është një investim i huaj që do të investojë në Shqipëri më shumë se 100 milionë euro. Po ashtu rama tha se kompania prestigjioze do të ndihmojë të hedhë më shumë dritë mbi Shqipërinë në Francë dhe tek investitorët francezë.
Parku fotovoltaik i Karavastasë do të jetë i dyti në vend pas atij të Akërnisë, tenderi për të cilin është bërë që në vitin 2018. Por punimet në Akërni nuk kanë nisur ende për shkak të negociatave ende të papërfunduara me kompanitë fituese.
Kompania ‘Voltalia’ është themeluar në vitin 2005 në Francë dhe është e fokusuar në sektorin e energjisë së rinovueshme, të diellit, erës e ujit.