Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e aeroportit të Vlorës

Nga Exit News
Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e aeroportit të Vlorës

Të martën u nënshkrua marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe konsorciumit të kompanive Mabetex Group (50%), YDA-Group (48%) dhe kompania 2A Group shpk (2%). Vlera e investimit është rreth 100 milionë euro.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, Rama tregoi vështirësitë për përmbylljen e kësaj marrëveshjeje.

Ai shtoi se çdo herë që gara për këtë projekt ishte afër përmbylljes, dilte ndonjë gjë.

“Pa lejen e tij them se çka më tha Belinda nga raporti i komisionit që në të gjitha garat ndërkombëtare të bëra në Shqipëri, gjatë gjithë periudhave, është konsorciumi që nuk ka paraqitur garancira financiare me shprehjen që ne ja u kemi lekët, por ka paraqitur financimin në bllok, që ësthë garanci absolute për faktin se aeroporti qysh sot është 100% i financuar, nuk është kontratë që do e çojë kompaninë nëpër banka.”, përfundoi ai

Qeveria rihapi më 23 nëntor garën ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportin e Vlorës. Kjo është hera e tretë që qeveria hap garën për aeroportin e Vlorës.

Fillimisht në dhjetor të 2019 qeveria hapi garën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ku afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë ishte 12 mars 2020.

Më pas tenderi u rihap në tetor 2020, por në 10 nëntor, Balluku njoftoi dështimin e tenderit për herë të dytë, për shkak të pandemisë së Covid-19.

Historia e ndërtimit të aeroportit të Vlorës

Më 10 tetor 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin e tenderit për bërjen e studimit e bëshmërisë për aeroportin e Vlorës. Tenderi u fitua nga Seed Consulting, me një ofertë sa 98.6 për qind e buxhetit maksimal të vënë në dispozicion.

Seed Consulting është në pronësi të pronarëve të Atelier 4, një studio arkitekture që ka qenë e përfshirë ngushtë me projektet e rilindjes urbane të Ramës, që kur ai ishte kryetar i bashkisë së Tiranës.

Më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga konsorciumi turk. Të tre kompanitë në konsorcium, Cengiz Construction, Kalyon Construction dhe Kolin Construction, kanë lidhje të ngushta me regjimin e presidentit turk Erdoğan.

Konfirmojmë zyrtarisht se do të ketë një garë ndërkombëtare për ‘Vlora International Aeroport pasi interesi është i madh nga investitorët. Dhe ky proces do të përmbush të gjitha kushtet ligjore dhe elementët e transparencës.”

Më 15 shtator 2019, Kryeministri lajmëroi zyrtarisht se konsorciumi turk është larguar dhe studio e preferuar e kryeministrin, Archea ka kryer projektin e ri.

“Pas negociatave tejzgjatura, por si përfundim të pasuksesshme me konsorciumin që shprehu interes për realizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, u angazhuam drejtëpërdrejt në bërjen e projektit për të mos humbur tjetër kohë të çmuar.

Falë një pune voluminoze në bashkëpunim me një skuadër ndërkombëtare ekspertësh nën drejtimin e studios së famshme ARCHEA, kemi në dorë një projekt ambicioz të standarteve më të larta teknike e arkitektonike.”

Më 16 shtator 2019, Kryeministri prezantoi projektin në Vlorë dhe tha se ende nuk e kishte vendosur nëse do ta ndërtonte ndonjë firmë ndërkombëtare apo me paratë e buxhetit të shtetit.

“Po studiojmë paralelisht dy opsione, ose qysh në fazën e ndërtimit me një kompani serioze ndërkombëtare ose do ta ndërtojmë vetë, me buxhetin e infrastrukturës dhe pastaj do të përzgjedhim operatorin ndërkombëtar. Sepse s’kemi më kohë për të humbur dhe NE PRANVERE DUAM TE HAPIM KANTIERIN.”

Ai tha se pista e aeroportit të Vlorës do të jetë më e madhe se e Tiranës, dhe do të kthehet në një qendër ekonomike:

“Vlora do ketë një pistë 3.2 km, kur Tirana e ka më të vogël.Do mundësojë edhe transportin e mallrave… Do ketë dhe një funksion të tretë, për mirëmbajtjen dhe riparimin e avionëve. Këto e bëjnë aeroportin e Vlorës një qendër ekonomike, pasi kontributi në ekonomi do jetë shumë i ndjeshëm.”

Kryeministri lajmëroi se qeveria do të ndërtojë edhe një aeroport të ri në Sarandë.

“Kemi filluar ndërtimin e a aeroportit të Kukësit. Njëkohësisht po punojmë për aeroportin e Sarandës. Qoftë Kukësi apo Saranda do kenë aeroporte me një tjetër profil.”

Kërkesa erdhi para se të publikohej studimi i bëshmërisë së aeroportit dhe pas vizitës së kryeministrit Rama në Turqi, gjatë së cilës ai njoftoi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do ta “ndihmonte” me krijimin e një kompanisë ajrore shqiptare. Sipas Ramës, puna për ndërtimin e aeroportit do të fillonte në qershor 2018.

Më 11 prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni për zhvillimin e Aeroportit të Vlorës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>