Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj konfirmoi javën e shkuar vendimin e tij dhe të Kryeministrit Rama për të krijuar një ndërmarrje të përbashkët me ndërmarrjet komunale të Bashkisë së Veronës për mbledhjen e plehrave dhe mbetjeve të Tiranës. Para disa muajsh, Zoti Veliaj kishte nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për këtë gjë, me Kryetarin e Bashkisë së Veronës Flavio Tosi.
Ndërkohë, në fillim të muajit qershor është regjistruar në QKR shoqëria AGSM Holding me kapital fillestar një milionë euro, në pronësi të AGSM dhe AMIA, dy ndërmarrje bashkiake të kontrolluara nga Bashkia e Veronës. Kjo kompani do të jetë ortakja e kompanisë së Bashkisë së Tiranës në shoqërinë e caktuar për mbledhjen e mbetjeve urbane (nuk dihet se me ç’bazë ligjore i ka marrë vendimet e tij kryebashkiaku Veliaj ).
Anëtar i Bordit Administrativ të AGSM Holding dhe president i AMIA-s (një nga dy kompanitë ortake të AGSM-së) është Andrea Miglioranzi, një personazh i njohur i kronikave politike dhe gjyqësore italiane.
Në gjysmën e dytë të viteve ‘90-të, Miglioranzi, atëherë eksponent i shoqatës Veneto Fronte Skinheads dhe drejtues i Projektit Kombëtar (lëvizje neofashiste), ishte ndër të parët persona në Itali të dënuar me burg për nxitje të urrejtjes racore.
Miglioranzi, ashtu si Gianluca Iannone, udhëheqësi i organizatës tjetër fashiste CasaPound, është i dhënë pas muzikës White Power Rock dhe me grupin e tij “Gesta Bellica” ka argëtuar për vite me rradhë turmat neofashiste të verilindjes së Italisë. Në shfaqjet publike ai interpretonte këngë të tilla si “Kapiteni”, dedikuar ish-komandantit të SS-ve Erich Priebke, “8 Shtatori“ (“unë jam këmisha e zezë: atdheu im është flamuri im”) e këngë të tjera me tekste antisemite dhe ksenofobe, si për shembull “Ti hebre i mallkuar, çifut pa atdhe” ose “Vjedhje, drogë, lëkurëzinjtë nuk i dua: Fuqia e të bardhëve, kjo është mundësia”.
Disa nga anëtarët e grupit Gesta Bellica, përfshi vetë Andrea Miglioranzin, janë arrestuar disa herë në gjysmën e parë të viteve ‘90-të, për arsye se tekstet e tyre nxisnin urrejtje racore dhe mbronin genocidin, por më pas janë lënë të lirë.
Në fillimin të viteve 2000, Miglioranzi ishte koordinator i Listës Civile për Veronën (një përzjerje anëtarësh të partive të vjetra fashiste, ish anëtarësh të Casapoundit dhe ish skinheadsa), e cila i dha Flavio Tosit fitoren e thellë dy herë rradhazi si kryebashkiak i Veronës. Dhe Tosi nuk i harron ata që e ndihmojnë.
Mbas marrjes së detyrës së kryebashkiakut, Tosi hodhi idenë jo shumë gjeniale të emërimit të Migliorazzit, këngëtarit të Reich-ut të Tretë, në krye të Institutit të Veronës për Historinë e Rezistencës duke ngjallur kështu polemika të forta.
Sot, Miglioranzi nuk është më në këshillin komunal të Veronës, por është emëruar nga Tosi President i AMIA-s, ndërrmarjes bashkiake të pastrimit të mjedisit të Veronës.
Si president i AMIA-s ai ka ardhur disa herë në Tiranë, së bashku me kryebashkiakun Tosi, me qëllimin për të shtrirë jashtë Italisë aktivitetin e kompanisë së tij.
Tosi dhe Miglioranzzi tentuan, por pa sukses, të organizonin me kryetarin e atëhershëm të Bashkisë Lulzim Basha një ndërmarrje të përbshëkt për koncesionin e grumbullimit të mbeturinave të Tiranës dhe për menaxhimin (po me koncesion) të vendgrumbulimit të Sharrës, por projekti u bllokua nga kundërshtimi i Shkëlqim Canit, ministri i atëhershëm i Financave, pasi ai rrezikonte financat bashkiake.
Situata u zgjidh kur dy veronezët, me ndërhyrjen e ish-ambasadorit italian Gaiani, pritën në Verona Kryeministrin Edi Rama. Kryeministri, fillimisht, vendosi të bashkëpunonte Bashkia e Durrësit me atë të Veronës, për mirëmbajtjen e amfiteatrit të Durrësit.
Por veronezët ishin të interesuar për plehrat e jo për kulturën, ndaj pas fitores të Bashkisë Tiranë nga Veliaj, Kryeministri urdhëroi Kryebashkiakun Veliaj të krijojë një shoqëri të madhe për monopolizimin e grumbullimit të mbeturinave në vend. Do jetë interesante të shihen kushtet e koncesionit apo marrëveshjes që do të nënshkruajë Bashkia e Tiranës me këtë kompani monopol, sidomos kushtet financiare.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurtë: neosocialistët rilindas dhe naziskinët e neofashistët italianë do të “punojnë” krah për krah për të pastruar Tiranën.