“Nëse Skavica…” — A ka hequr dorë Rama nga interesat private në favor të interesit kombëtar?

Nga Geri Selenica
“Nëse Skavica…” — A ka hequr dorë Rama nga interesat private në favor të interesit kombëtar?

Kryeministri Rama u shpreh të enjten se:

— “Kaskada e Drinit pa Skavicën është si tufa e deleve pa bariun.”

— “Drini mjalt me i pru, s’mun’ e ngjyj as gishtin.”

— “Në se, në se, në se…, sot do të ishim në një Shqipëri tjetër.”

— “Pazotësia e ka sjellë që shumë gjëra të mos ishin bërë.”

Kisha shumë vite që nuk kisha dëgjuar me kaq vëmendje një fjalim të Kryeministrit Rama. Është hera e parë që në një fjalim ai ul dozën e qyfyreve tradicionale e populiste dhe flet me saktësi ekonomike e inxhinjerike. Ndoshta kjo është një rastësi fatlume, ose ndoshta ai është pjekur si shtetar dhe ka zbuluar aftësi të shkëlqyera të stafit teknik të Ministrisë së Infrastrukturës dhe KESH-it.

Ndër vite, me mbështetjen e specialistëve më të mirë të vendit, kam botuar një seri artikujsh (lexo këtu, këtu dhe këtu) dhe kam ndërmarrë disa nisma publike dhe jo publike për të luftuar dhënien e hidrocentralit të Skavicës me koncesion nga qeveria Rama.

Sot, duket se shqiptarët mund të shijojnë një fitore të rëndësishme në ruajtjen e një prej pasurive më të rëndësishme strategjike kombëtare.

Fitorja më e amdhe është se qeveria kuptoi se hidrocentrali në Skavicë duhet të jetë pronë e KESH, pasi de-facto është një rezervuar ujor dhe pjesa më e rëndësishme e Kaskadës së Drinit.

Integrimi i HEC Skavicës me kaskadën e Drinit ka avantazhet se:

— krijon rezervën ujore më të madhe në Europë, prej 7 miliardë m3 ujë, dhe në të njëjtën kohë bëhet aseti më i rëndësishëm strategjik kombëtar; 

— disiplinon përmbytjet në të gjithë rrjedhën e Drinit;

— rrit sigurinë e digave poshtë saj;

— mundëson menaxhimin e integruar dhe të kompjuterizuar nga një dispeceri qendrore të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, duke e rritur eficiencën e saj rreth 10 për qind;

— dispeceria mundëson integrimin më të mirë energjitik me Kosovën ose tregun rajonal, sidomos me Italinë, duke mundësur eksportin e energjisë në momentet e pikut me çmimet më të larta, çka maksimizon përfitimet financiare të KESH-it.

Këto nuk arriheshin kurrë nëse HEC Skavica do të jepej me koncesion, qoftë edhe tek një investitor serioz dhe pa korrupsion.

Interesi publik i përfaqësuar nga KESH-i për ruajtjen e rezervës energjitike të të gjithë Kaskadës së Drinit është krejt i kundërt me interesin e një investitori privat – fitimin nga investimi i hidrocentralit.

Kjo ka qënë arsyeja që tërë propozimet private kanë qënë për diga shumë më të vogla, në mënyrë që privati të siguronte fitim. Pa llogaritur vështirësitë inxhinierike të vepres nga ana ndërtimore dhe funksionale, si diga më e lartë e Kaskadës.

Fitorja e dytë publike është se mbi Drinin e Zi do të ndërtohet vetëm  Skavica dhe jo dy apo tre hidrocentrale, të cilët do ta shkatërronin krejtësisht rezervën ujore të Drinit, që përbën 50 për qind të rezervës ujore kombëtare.

Mbetet për t’u parë nëse këto dy fitore do të mbeten të tilla, pasi ende ekziston rreziku i qasjes Ahmetaj. Arben Ahmetaj, personi kyç pas koncesioneve të qeverisë Rama, ka kërkuar sistematikisht gjashtë vitet e fundit ta japë me koncesion tek privatët ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Si ministër i ekonomisë dhe i financave ai injoroi të gjitha studimet teknike dhe bindi Kryeministrin Rama për të ndërtuar në Skavicë disa hidrocentrale të vogla, me diga të vogla dhe rezervuar të vegjël, në vend të një hidrocentrali të vetëm të madh me digë të lartë dhe rezervuar shumë të madh.

Qasja me hidrocentrale të vogla garanton fitime të shpejta për investitorin, por eleminon të gjitha përfitimet në interesin publik për rregullimin e kasakadës së Drinit,  sikurse i kam renditur më sipër.

Pasi e bindi për këtë qasje Ramën, Ahmetaj ishte personi kyç pas dhënies me koncesion të hidrocentralit ë Katundit të Ri, një kompanie turke në një marrëveshje të dyshimtë, e cila fatmirësisht ka dështuar.

Shpresoj se prania e Ahmetajt, në mjediset e një ministrie që nuk ka lidhje me punën e tij, gjatë takimit ku u njoftua synimi për një hidrocental të vetëm në Skavicë nuk është shenja se Rama mund të mos jetë ende serioz me HEC Skavicën—Ahmetaj mbetet ende një nga personat më me ndikim mbi kryeministrin Rama dhe rreziku kreysor që Skavica të mos bëhet.

***

Me që jam marrë mbi 10 vite me HEC Skavicën dhe me disa vepra të rëndësishme strukturore rajonale, mund të bëj sygjerimet e mëposhtme.

1. Ministria e Infrastrukturës dhe KESH-i duhet ta rishohin studimin e WBIF

Studimi i kryer si pjesë e programit WBIF të BE-së pasi ai është një studim parafizibiliteti i cunguar, pasi është porositur nga drejtuesit e mëparshëm, të cilët i kanë vënë kufizimin digës në 445 metra, që e mban rezervuarin deri në kufirin me Maqedoninë dhe jo lartësinë 485 metra.

Lartësia e digës ka një rëndësi shumë të madhe. Qeveritë e dy dekadave të fundit e kanë menduar vetëm si ta bëjnë Skavicën investim tërheqës për investitorët privatë dhe nuk e kanë menduar interesin publik e kombëtar—ato kanë kërkuar ndërtimin e hidrocentraleve me diga më të vogla (385 metra dhe 441 metra).

Skavica është studjuar si pjesë integrale e Kaskadës së Drinit që nga viti 1949 deri në vitin 1991 nga mbi 40 mijë inxhinierë dhe teknikë, vendas dhe të huaj. Shteti shqiptar ka nënshkruar më 1962, marrveshjen e ujrave me Jugosllavinë, që e lejon përmbytjen nga rezervuari i Skavicës deri në Dibër të Madhe, Maqedoni (tek HEC Spilje), me një digë në kuotën 485 metra, duke i dhënë një rezervë ujore shtesë Skavicës prej mbi 4 miliardë m3 ujë.

Studimi i WBIF është i panevojshëm, kur shteti shqiptar ka në arshivat e veta një studim të plotë fizibiliteti dhe ideor mbi HEC Skavicën në kuotën 485 metra.

— Diga në kuotën 485 m krijon 7 miliardë m3 ujë.

— Diga në kuotën 445 m krijon 3 miliardë m3 ujë.

— Diga në kuotën 385 m krijon 600 mijë m3 ujë.

Unë kam pas mundësinë të flas me drejtues të lartë të Maqedonisë për çeshtjen e hyrjes së liqenit të Skavicës në territorin e Maqedonisë dhe ma kanë konfirmuar që mezi e presin një projekt të tillë.

Sygjerimi im për organet vendimmarrëse, për pragmatizëm dhe për ekonomi kohe është, që për momentin le të konsiderohet Versioni B me digën 440 metra (deri në kufirin shtetëror), por të tenderohet ndërtimi i digës me një stukturë të tillë, që në një fazë të dytë të mundësohet shtesa e digës edhe me 45 metra, që të arrihet diga 485 metra, shtesë e cila mund të bëhet më vonë pas dakordësimeve me Maqedoninë.

Qeveria e sotme shqiptare nuk ka asnjë të drejtë sovrane që me një digë 440 metra të shkatërroje mbi 4 miliardë m3 rezervë ujore kombëtare, që parasheh projekti me digën 485 metra. Një opsion i tillë shtesë mbi studimin e WBIF mund të ketë një kosto 50 milionë euro shtesë, që nuk janë asgjë për shtetin.

2. Modeli më i përshyatshëm i ndërtimit do të ishte “Design and Build, but NOT operate”.

Përvoja ka treguar që vepra të tilla është e pamundur të projektohen qoftë dhe nga studiot më të mira të projektimit, pasi gjatë ndërtimit ka gjithmonë situata të paparashikuara. Pa llogaritur që kompanitë ndërtimore për të tilla vepra janë shumë të pakta dhe kanë sekretet e tyre teknologjike, që studjot e projektimit nuk i dinë.

“Nëse, nëse, nëse…” Kryeministri Rama do të kishte pranuar që në vitin 2014 propozimet e ndërtimit të HEC Skavicës për llogari të KESH nga tre firmat më të mëdha në botë të ndërtimit të HEC-eve, PowerChina, GeZhouBa dhe Norinco—e cila i propozoi qeverisë shqiptare financimin dhe ndërtimin e HEC Skavicës 1 miliardë euro, për 35 vite, me interes 2% p.a., dhe 8 vjet grace period, për llogari të KESH-it—sot HEC Skavica do të qe ndërtuar, do të sillte €100 milionë të ardhura në ekonomi dhe sot do të ishim në një Shqipëri tjetër”.

Por më mirë vonë se kurrë.

Për kujtesë insitucionale:

 Arshivi teknik i shtetit, por edhe KESH-i ende e kanë studimin e plotë të HEC Skavica 485 metra, që përfshin edhe 5’000 metra linearë shpime gjeologjike, që nuk ka shans t’i bëjë WBIF;

 Ende jetojnë inxhinierët që e kanë bërë këtë studim, që nuk i kontaktuar asnjë institucion shqiptar;

 Mendoj se për seriozitetin burokratik të procesit do të ishte mirë të përfshihen edhe institucione si Universiteti Politeknik dhe Komiteti i Digave të Mëdha, i cili është nën varësinë e Kryeministrit dhe aktualisht ka mbetur pa kryetar, pasi ky institucion është i ngarkuar me ligj për aprovimin e projekteve në fushën e digave si dhe monitorimin e sigurisë së tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>