Nesër do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Territorit. Për këtë mbledhje nuk ka asnjë njoftim publik, nuk dihet rendi i ditës dhe as lejet që do të shqyrtohen.
Por prej ditësh ka shumë zëra që qarkullojnë dhe dokumente pa burim të konfirmuar që pretendojnë se në këtë mbledhje do të miratohen disa ndërtime gjigante në Tiranë.
Ndër projektet e përfolura se do të miratohet është një ndërtesë gjigante, mbi 30 katëshe, në vend të parkut të lodrave “Shtatë Xhuxhat” në fillim të Rrugës së Elbasanit.
Përflitet se do të miratohet një tjetër ndërtim i madh në hapësirën e këndit të lojërave, në krah të policisë bashkiake, në zonën e ish-parkut të autobuzave në Rrugën e Kavajës.
Një tjetër ndërtim që mendohet se do të miratohet është në zonën e Don Boskos.
Mungesa e plotë e transparencës dhe vendim-marrja në fshehtësi është tashmë standard me të cilën vepron qeveria në fushën e zhvillimit urban. Mbi të gjitha, duket se qeveria Rama ka braktisur krejtësisht ligjin, pasi vazhdimisht ajo po shqyrton dhe miraton leje ndërtimi pa studime të ndikimit në mjedis dhe pa zhvilluar konsulta me publikun.
Jo më pak shqetësues është fakti se të gjitha këto ndërtime të mundshme po miratohen në bazë të planit të vjetër Basha që kryebashkiaku Veliaj e sulmoi dhe pastaj deklaroi që e shfuqizoi.
Artikull i lidhur:
Një kullë 25 katëshe do të ndërtohet tek këndi i lojrave “7 – Xhuxhat”