Qendra “New Policy Group”, me mbështetjen financiare të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), ka vëzhguar përdorimin e gjuhës shqipe në edicionet kryesore të lajmeve.
Gjuha është një nga mjetet më të rëndësishme të medias për të përcjellë informacionin. Mënyra sesi ajo përdoret ndikon vetë informacionin dhe të kuptuarit e tij nga publiku. Një gjuhë që e vështirëson të kuptuarit e informacionit nënkupton se përmbushja e misionit të gazetarisë është në pikëpyetje.
Nga ana tjetër, media luan, gjithashtu, një rol të rëndësishëm në formimin gjuhësor të qytetarëve dhe në vetë zhvillimin e shqipes. Në këtë rol, media është ndoshta ndikuesi më i madh i formimit gjuhësor të popullatës.
Për këtë arsye, mbikqyrja e gjuhës së përdorur nga media dhe trysnia ndaj saj për të ruajtur jo vetëm standardet gjuhësore dhe zhvillimore të shqipes, por edhe një gjuhë që përcjell informacionin në mënyrë të kuptueshme, janë shumë të rëndësishme.
Në kuadër të projekti “Qartë dhe Shqip”, mbështetur nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, u monitoruan për një muaj rresht edicionet qendrore të lajmeve të televizioneve: TV Klan, Top Channel, RTV Ora, News24 dhe ABC News.
Pas studimit të gabimeve të ndryshme, mbledhur gjatë një muaji vëzhgim, gjetjet dhe rekomandimet për përmirësim në gjuhën e përdorur nga gazetarët u përmblodhën në një libërth.
Për gjatë muajve tetor – nëntor, përfundimet e këtij studimi u diskutuan me gazetarë, gjuhëtarë, shoqërinë civile në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë dhe Korçë.