Gazeta amerikane The New York Times ka publikuar një artikull mbi praninë e anëtarëve të organizatës MEK në Tiranë, duke shtruar pyetjen “çfarë po bëjnë ata në Shqipëri?”.
Artkulli i gazetarit Patrick Kingsley, një nga disa gazetarët e lejuar brenda kampit të ndërtuar në Manzë, të Durrësit, gjysëm ore larg Tiranës, tregon se në fillim kërkesa e tij u mohua, por pas këmbënguljes së tij, ai u lejua të vizitonte kampin dhe të zhvillonte disa intervista.
Ai i përshkruan intervistat si “seksione propagande”, duke treguar se anëtarët e MEK e shoqëruan dhe i treguan një muzeum, një mense, një palestër, dhe një studio regjistrimi, e cila përdorej për regjistrimin e këngëve të publikuara në median sociale për të promovuar mesazhin e tyre.
Personat e intervistuar nga Kingsley pohuan se ata nuk mund të largohen nga kampi dhe nuk i lejohet të flasin për vendndodhjen e liderit të MEK Masoud Rajavi, i cili u zhduk më 2003. Anëtarët i mohuan fort akuzat dhe përrallat me “larje e truri” dhe sjellje të ngjashme me kultin, të treguara nga kritikët e tyre. Ata i quajtën shumë nga kritikët e tyre si ‘spiunë iranianë’.
Kingsley kontaktoi me tre ish-oficerë të ushtrisë amerikane të cilët kishin ndihmuar në ruajtjen e kampit MEK në Irak pas pushtim amerikan. Sipas artikullit, ata “folën me superlativa” për grupin, duke pohuar se anëtarët ishin të lirë të largoheshin nga kampi, nëse dëshironin.
Kingsley, paraqet në artikull edhe pohimet e Kapitenit Matthew Woodside, një ish-ushtar amerikan, “jo pjesë e atyre personave të sugjeruar nga MEK për gazetarin Kingsley, për tu kontaktuar”, i cili i tha gazetarit një tjetër variant të gjërave. Ai tha se “unë kam parë që organizata ishte absolutisht e neveritshme. Unë jam shtangur që ata ndodhen në Shqipëri”.
Artikulli i New York Times është ndoshta artikulli i parë kritik mbi praninë e MEK në Shqipëri, i botuar në një media kryesore amerikane.
Në të shkuarën, Exit News ka publikuar disa histori mbi organizatën MEK në Shqipëri. Disa nga gazetarët tanë madje u lejuan të vizitonin kampin në qershor 2019, me rastin e konferencës ku foli, udhëheqësja de facto Maryam Rajavi, ish-kryebashkiaku i New Yorkut Rudy Giuliani, ish-senatori Joe Lieberman, politikani kolumbian Ingrid Betacourt, dhe disa ish-marinsa amerikanë.
Gazetarët e Exit News panë se anëtarët ishin të veshur me uniforma, ndaheshin veçantë burrat nga gratë. Grave i konfiskoheshin objektet e tualetit dhe nuk i lejohej të bënin foto. Gjithashtu, kampi kishte nivel të lartë sigurie. Ata mbroheshin nga policia, nga dy firma private sigurie, dhe në hyrje të kampit kishte detektorë për objekte metali.
Disa ditë pas vizitës, gazetarët e Exit News morën rreth 15 telefonata dhe mesazhe duke i kërkuar atyre të vizitonin sërish kampin.