News24 mbyll emisionet e Krastës dhe Rakipit, dy nga zërat publikë më kritikë ndaj qeverisë

Nga Alice Elizabeth Taylor
News24 mbyll emisionet e Krastës dhe Rakipit, dy nga zërat publikë më kritikë ndaj qeverisë

Adi Krasta dhe Ylli Rakipi, dy gazetarë dhe kritikë të njohur të kryeministrit Rama, Partisë Socialiste dhe kryebashkiakut Veliaj, janë hequr nga puna dhe programet e tyre në televizionin News24 janë mbyllur.

Burime të ndryshme kanë raportuar se Krasta e humbi vendin e punës pasi pronari i News24, Irfan Hysenbelliu u vu nën presion nga Kryeministri Rama dhe Kryetari i Bashkisë Veliaj.

Kjo nuk është hera e parë që Krasta e gjen veten të papunë si rezultat i ndërhyrjeve politike.

Gjatë dy mandateve të qeverisë socialiste, Krasta është pushuar ose ka humbur punën edhe dy herë të tjera, për shkak të ultimatumeve që qeveria i ka bërë punëdhënësve të tij. Hera e parë ishte mbyllja e Agon Channel me këmbënguljen e Ramës, kur sapo erdhi në pushtet. Pastaj Krasta u detyrua të largohej nga emisioni “E Diell” në Top Channel.

Në korrik gazetari Artur Çani zbuloi se Rama kishte takuar pronarin e News24 për t’i kërkuar heqjen nga puna të Ylli Rakipit. Çani paralajmëroi edhe largimin e Adi Krastës nga News24.

Në një deklaratë për FaxNeës, Artur Çani u shpreh:

“Është skandaloze kur zbulon se Edi Rama këtë javë ka takuar pronarin e medias ku punon Ylli Rakipi, i cili është kritik i Rilindjes, dhe i ka kërkuar largimin e tij nga puna.”

Ai shtoi dhe se “Rama e ka kapur median”, pasi ka ndërhyrë dhe për lëvizje të tjera të gazetarëve kritikë ndaj tij.

Ylli Rakipi, i cili gjithashtu duket se nuk do ta transmetojë më programin e tij në News24, është një prej kritikëve më të mëdhenj të qeverisë Rama. Në nëntor 2018 ai ekspozoi skandalin me kompaninë fantazmë Dunwell Habberman, që kishte fituar tenderin e Unazës së Madhe në Tiranë. Pas këtij denoncimi, Rakipi u kërcënua me jetë, ndërsa në janar 2019, kryeministri Rama e paditi atë shpifje në lidhje me rastin. Që prej asaj kohë, vazhdimisht kanë qarkulluar zëra në media se Rama po përpiqej ta mbyllte programin e Rakipit.

Rakipi e ka quajtur Ramën një “lloj të ri të diktatorit, si Erdogani apo Putini” dhe ngriti kundërpadi ndaj tij për presion politik.

Ai raportohet se do të zëvendësohet në News24 nga gazetari Sokol Balla, i cili njihet si mbështetës i Ramës dhe një nga gazetarët “pranë” tij.

Kjo nuk është hera e parë që qeveria Rama ndërhyn në media për të heshtur e shkarkuar nga puna gazetarët kritikë.

Gazetarët Alida Tota dhe Artan Rama u shkarkuan nga puna pasi hetuan mbi lidhjet e dyshuara mes kryebashkiakut Veliaj dhe vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, nën kontrollin e Bashkisë.

Dokumentari i Artan Ramës në Vision Plus u anulua pak orë përpara transmetimit, ndërsa Tota u pushua nga televizioni A1 vetëm disa orë pasi ajo kontaktoi zyrën e Veliajt për komente lidhur me vdekjen e Gjoklajt.

Gazetarët shqiptarë, veçanërisht gjatë 18 muajve të fundit, janë përballur me sulme të pandodhura më parë në këtë shkallë. Një numër i madh gazetarësh janë kërcënuar, sulmuar, frikësuar, apo janë përballur me çështje gjyqësore që synojnë t’ua mbyllin gojën.

Një sondazh i kohëve të fundit tregoi se për gazetarët shqiptarë qeveria është kërcënimi më i madh për lirinë e medias, në veçanti ndërhyrja politke dhe frika nga humbja e vendit të punës. Pjesa më e madhe e gazetarëve pranuar se ata e censurojnë vetë punën e tyre nga frika. Një e treta e tyre pohuan se kanë qenë nën trysninë e redaktorëve për të mos shkruar për tema të caktuara. Thuajse 40 përqind të gazetarëve u ishte bërë presion nga shefi, dhe një e treta pohuan se shkrimet e tyre ishin hequr nga botimi pa i pyetur njeri fare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>