
Mediat braziliane zbuluan të premten se futbollisti Neymar, dhuroi në mënyrë anonime rreth 880 mijë euro për të luftuar epideminë e koronavirusit.
Emisioni Fofocalizando tregoi se sulmuesi i Paris Saint Germain i dhuroi privatisht 5 milionë real brazilianë një agjencie humanitare të UNICEF-it dhe një fondi tjetër të krijuar nga artistë e persona të njohur në Brazil.
Fond i cili do t’u sigurojë paga minimale familjeve në nevojë. Sipas mediave Neymar kishte kërkuar që informacioni të mos bëhej publik.
Futbollisti bëhet kështu pjesë e qindra sportistëve të tjerë që po kontribuojnë për të luftuar pandeminë.
Tenisti Novak Djokovic, basketbollistë të NBA-it, apo klube të ndryshme sportive kanë shkurtuar pagat për të mbuluar një pjesë të fondeve që duhen për të zbutur efektet ekonomike te më të prekurit.