Nga 1 dhjetori, mësimi në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme mund të zhvillohet i alternuar, një pjesë në klasa dhe një pjesë virtualisht.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh në një deklaratë për shtyp, të mërkurën, se i ka rekomanduar ministrisë së Arsimit të shohë mundësinë për zhvillimin e mësimit të alternuar, si mënyrë për të shmangur përhapjen e Covid-19.
Manastirliu u shpreh:
“Pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve kemi vendosur t’i rekomandojmë MASR që, nga data 1 Dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën tradicionale, me prani fizike duke e kombinuar dhe me mësimin ne distance (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore.”
Pavarësisht masës së rekomanduar, Manastirliu tha se fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të Covidit.