Vetëm 750 qytetarë do të lejohen të kalojnë kufirin për në Greqi duke filluar nga dita e nesërme. Lajmin e bëri të ditur Policia e Shtetit.
Në një njoftim në Facebook, Policia shkruan:
“Nisur nga masat kufizuese për shkak të COVID-19, Policia greke ka njoftuar Policinë Kufitare në Kakavijë dhe Kapshticë se duke filluar nga data 16.08.2020, nga ora 06:00 deri në orën 22:00 të çdo dite në vazhdim, për të hyrë në Republikën e Greqisë, nëpërmjet Kakavijës do lejohet të hyjnë në Greqi vetëm 750 shtetas çdo ditë, ndërsa nga Kapshtica vetëm 300 shtetas çdo ditë.”
Për të kaluar kufirin me Greqinë duhet:
- Të kenë kryer testin e COVID 19, jo me vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë negativ;
- Testimi të jetë bërë nga autoriteti shtetëror (Instituti i Shëndetësisë) ose nga çdo spital apo klinikë e certifikuar dhe e njohur nga shteti;
- Certifikata të përmbajë të dhënat personale të personit, numrin e pasaportës ose të kartës greke, rezultatin negativ të testit, emrin e Institucionit ku është kryer testimi, adresën, numrin e telefonit, si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze;
- Do të lejohen të hyjnë në Greqi shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonal, si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës;
- Çdo shtetas që do të hyjë gjithashtu duhet të këtë plotësuar formularin PLF.