Vite më parë, kryeministri i atëhershëm Sali Berisha, në “valën më të nxehtë” të sulmeve dhe akuzave për keqqeverisje dhe korrupsion, i “ushqente” mediat me lajme mbi rekordet e tij në not. Kur Shqipëria ishte në krizë të thellë qeverisje dhe ekonomike, media shpalosnin titujt “Berisha rekord të ri në not”, “Kryeministri nuk ka të ndalur, 3 orë në det” e të tjera si këto, si dhe i mbushnin faqet e tyre me komentet pro dhe kundër të qytetarëve nëse Berisha rezistonte apo jo tre orë në det, nëse i kishte ende reflekset pavarësisht plakjes apo jo, e të tjera si këto.
Jehona e “suksesshme” e këtyre artikujve e fotove zinte, me dashje, çdo hapësirë për pasqyrimin e gjendjes kritike të Shqipërisë.
Tre vite më vonë, situata paraqitet e njejtë, ka ndryshuar vetëm lojtari dhe sporti.
Muaj më parë qarkulloi në rrjetet sociale një foto e bërë nga jashtë Kryeministrisë ku përmes një dritareje dukej një kosh basketbolli i montuar në murin e një zyre. Një tjetër fotografi tregoi një kosh të përmasave reale i vendosur në oborrin e brendshëm të kryeministrisë, i cili dikur përdorej për pritjen e personaliteteve të huaja.
Pak ditë më parë, mediat u mbush me një foto të marrë nga një fotograf zviceran të Kryeministrit Rama teksa bën gjuajtje në një kosh basketbolli brenda paradhomës përmes së cilës kalohet në zyrën e Kryeministrit. Me shumë mundësi, do të kenë bërë shumë prova për ta realizuar foton pasi në foto topi është kapur në ajër, me një trajektore perfekte drejt koshit.
Fotoja mund të meritojë shumë komente, por qëllimi i saj kryesor është të tregojë se Kryeministrit Rama nuk i kanë rënë reflekset nga plakja, ai sërish bën 3-pikësha si dikur kur ishte i ri. (“Puna e 3-pikëshit” duket se e mundon shumë Kryeministrin, pasi kohë më parë bashkëshortja e tij, ndjesinë e Kryeministrit kur mori vesh se do të bëhej me djalë e përshkroi me fjalët, “Edi u gëzua si basketbollisti kur bën 3-pikëshin.”)
Me kryeminsitrin Rama ndryshimi nga ish-kryeministrit Berisha, është se pasioni i tij për sportin qeveritar diskutohet dhe në arenën ndërkombëtare. Tre pikëshat e kryeministrit Rama ishin një nga temat qendrore të një inteviste në revistën zviceriane Das Magazin, pak ditë më parë. Dashuria e kryeministrit për basketbollin ishte dhe një nga temat e diskutuara në takimin e shkurtër me Presidentin amerikan Obama, në shkurt të këtij viti.
Sërish media dhe opinioni publik janë të mbërthyera nga interesi për koshat e kryeministrit Rama, njësoj si dikur për notin e ish-kryeministrit Berisha.
Edi Rama nuk e braktisi sjelljen e Berishës sikurse premtoi, thjesht e ripaketoi dhe e bëri atë të famshme ndërkombëtarisht.