Nuk mendoj se ka pasë ndonjë ditë më domethënëse se e djeshmja për të demaskuar hipokrizinë dhe demagogjinë rilindase të qeverisë së Kryeministrit Rama. Ishin tre veprime publike që kanë nevojë për koment.
I pari ishte bërja publike e një VKM-je të firmosur nga Zëvendës Kryeministri Erion Braçe që njoftonte rihapjen e kazionove në Tiranë. Dhe jo vetëm kaq, në VKM përcaktoheshin edhe zonat ku do ishin kazinotë e ardhshme e, që, këtë radhë, ndryshe nga hera e parë, ishte zgjedhur të ishte bash qendra e Tiranës…
Firma e Erion Braçes në fund të atij vendimi më zgjoi veçanërisht vëmendje. Jo më larg se 3 vjet të shkuara, kur Braçe ishte deputet dhe Kryetar i Komisionit të Ekonomisë, pati një debat të fortë publik me Ministrin e atëhershëm të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Nuk të falte Braçe në atë kohë, do i çonte në vrimë të miut kazinotë… Pjesë nga debati i atëhershëm Braçe-Ahmetaj po e risjell edhe një herë:
Braçe: Kazinotë largohen nga qyteti, se mos do të qendrojnë në fshat?
Ahmetaj: Nuk do të ketë kazino në zonat e banuara. Do jenë larg, larg
Braçe: Po më vijnë shprehje të këtij lloji,”do ta gjejmë gjuhën me politikën”
Kështu pra, i degdisi, larg, larg, shumë larg zonave të banuara, atje ku as fshatarët të mos i gjenin dot. Pasi i mori këto garanci nga Ministri, Braçe u qetësua…
Mirëpo, siç përmendte Braçe atëherë:”Po më vijnë shprehje të tipit ‘do ta gjejnë gjuhën me politikën’”, duket se Marrëzia ia ka gjetur gjuhën Politikës.
Ironia qëndron se firmëtari është vetë flamurtarii atëhershëm i kundërshtisë, piskatësi publik i zërit të qytetarëve!
Kjo është çjerrja e parë e hipokrizisë, rezistenca ndaj atyre, të fortëve të kazinove, që “do ua gjenin gjuhën politikanëve”.
Mirëpo përpara se të vinim në 2018-ën, historia e “rilindasve” dhe kazinove ka pasë edhe një ngjarje tjetër. Është mjaft domethënëse për të kuptuar hipokrizinë e tyre.
Në vitin 2014, nën emrin e koduar “Fundi i Marrëzisë” (si në filmat më të suksesshëm ndërkombëtarë), Saimir Tahiri nxori në terren 6000 policë, rendi dhe tatimorë, që “do i jepnin fund marrëzisë shqiptare të bixhozit”, plagës sociale që po shkatërronte familjet” etj etj.
Atëherë vërtetë i përgëzuam me shpirt për nismën, ekzistonte shpresa se diçka do të ndryshonte. E dinim se do prisheshin shumë interesa mirëpo vendosmëria e tamtamet ishin të mëdha…
Rezultatet e atij aksioni, sipas Monitor, do të kishin një tkurrje prej vetëm 3,8% të tregut!
Spektakli i propagandës thjesht kishte vepruar si ai prestigjatori që bën trukun e grisjes së një shamie, përpara fëmijëve, e, ndërkohë, pas zhgënjimit të tyre, ua nxjerr të paprekur shaminë!
3.8% ishte tkurrja e Marrëzisë! 96,2 vazhduan të marrëzoheshin në kazino, baste apo makineta. Por ishte shtuar mjaft informaliteti, ushqimi më i fortë i korrupsionit shtetëror.
Ngjarja e dytë ishte dalja në televizor e një deputet rilindas për t’u shpjeguar shqiptarëve që, qendra e qytetit nuk ka njerëz të zakonshëm, të thjeshtë, pra për rrjedhojë, kazinotë janë pa pasoja, do dërrmojnë të pasurit.
Është me zë dhe figurë shikojeni më lart.
Pra, nga ai debati i para tre vjetëve “larg, shumë larg, ku nuk mund të shkojnë as fshatarët” erdhëm tek koncepti “Afër, shumë afër, në qendër fare ku nuk mund të mbërrijnë të thjeshtët, të zakonshmit”.
Kjo është hipokrizia e dytë. Të fortët e kazinove jo vetëm që “ua kanë gjetur gjuhën politikanëve” por po i detyrojnë ata që t’i sjellin në qendër të qytetit dhe madje, të dalin në televizor e të shpjegojnë ndarjen e madhe mes njerëzve “të thjeshtë” të periferisë dhe “të ndërkikuarve” të qendrës!
Ngjarja e tretë kishte të bënte me vetë Kryeministrin. Një nga familjet më fatkeqe të tërmetit të 26 Nëntorit, nga Thumana, u përzgjodh nga Kryeministri mes qindra e qindra të tjerave. Një fëmijë i hedhur nga dritarja e apartamentit të tyre kishte shpëtuar gjallë në rrënojat e tërmetit ndërkohë që babai dhe motra e tij kishin humbur jetën.
Ngjarja ishte e jashtëzakonshme, impakti pubik dhe komentet ishin të tilla. Ndaj mjeshtrat e imazhologjisë nuk mund ta humbnin si rast. Një spektakël ramian u improvizua me aktorë hiç më pak se Cristiano Ronaldo dhe Gianluigi Buffon. Ata surprizuan dy fëmijët e përzgjedhur të fatit dhe u dhanë bluza me autografe.
Shqipëria shpërtheu në lotë e brohorima për udhëheqësin, spektakli ia arriti qëllimit.
Mirëpo jeta vazhdon. Nëna e mbijetuar me thyerje brinjësh e dëmtime të mëdha, ka shpresuar në një kujdes nga Kryeministri në shkëmbim të shoët që mori nga djali i saj. Shtëpia e saj nuk ekzistonte më, fëmijët duhej të ushqeheshin, hallet veç shtoheshin…
Ajo kërkonte një pension për të rritur fëmijët por përgjigjia e nëpunëses së administratës ishte “Ti nuk e meriton se ke veç dy viktima në familje, duhej të kishe tre”!
Në këtë situatë ajo bën një deklaratë ku thotë: “Nuk jetoj dot me bluzën e Ronaldos”!
Një telefonatë mbërrin nga Kryeministria. Mamaja e sëmurë nuk kishte nge për telefona, telefonit i përgjigjet gjyshja e cila tmerrohet nga ajo që dëgjon: “Edi jam. Turp të ketë Manjola (emri i nënës) për atë që ka bërë dje” (intervistën televizive ku kishte bërë të njohura hallet e saj.
Kjo histori e kalon edhe fantazinë më të çmendur! Të të marrë kryeministri në telefon dhe të të bërtasë pse i bën publike hallet e tua është jashtë çdo imagjinate.
Por në fakt shërben shumë. U shërben të gjithë atyre që dyshojnë se kjo Qeveri e ky Kryeministër kanë tjetër strategji përpos asaj të spektaklit. Strategji që funksionon për aq sa zorrët nuk të kërcasin dhe dhimbja nuk të shkon në palcë.