Nga maskat tek vaksinat – Mite dhe të vërteta për koronavirusin

Nga Exit News
Nga maskat tek vaksinat – Mite dhe të vërteta për koronavirusin

Me përhapjen e shpejtë në koronavirusit në gjithë botën, ka nisur edhe përhapja e lajmeve keqinformuese dhe të rreme, veçanërisht në rrjetet sociale.

Përhapja e tyre ka shqetësuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe ka bërë që rrjete sociale si Facebook e Twitter të marrin masa për çdo lajm që vërtetohet që është i pavërtetë për koronavirusin.

Më poshtë Exit News, bazuar në një artikull të The Guardian, zbërthen disa prej lajmeve dhe miteve rreth koronavirusit.

Pretendimi: “Koronavirusi nuk është më i rrezikshëm se një grip i zakonshëm”

Është e vërtetë që shumë persona që do të preken nga koronavirusi nuk do të përjetojnë asgjë më shumë sesa simptomat e gripit sezonal, por profili i përgjithshëm i koronavirusit, përfshirë shkallën e vdekshmërisë së saj, e bëjnë sëmundjen të duket më serioze.

Në fillimin e shpërthimit të një sëmundjeje, shkalla e vdekshmërisë së saj mund të jetë një mbivlerësim dhe jo tërësisht real.

Por këtë javë, një ekspert i OBSH-së sugjeroi se nuk ka ndodhur kështu me Covid-19.

Bruce Aylward, i cili drejtoi një mision ndërkombëtar në Kinë për të mësuar rreth virusit dhe masave që ka marrë vendi, tha se të dhënat nuk sugjerojnë që ne po shohim vetëm majën e ajsbergut të këtij virusi.

Kjo do të thotë se vdekshmëria 1 deri në 2 për qind e rasteve të prekura po përforcohet gjithnjë e më tepër.

Kjo për qindje vdekshmërie e bën Covid-19 rreth 10 herë më vdekjeprurës sesa gripi sezonal, i cili vlerësohet se vret midis 290 mijë dhe 650 mijë njerëz në vit në nivel global.

Pretendimi: “Maska në fytyrë nuk të mbron”

Mbajtja e një maske në fytyrë sigurisht që nuk garanci që ju nuk do të sëmureni – viruset mund të transmetohen dhe përmes syve, e grimcat e vogla virale, të njohura si aerosole, mund të depërtojnë dhe përmes maskës.

Sidoqoftë, maskat janë efektive në kapjen e stërpiklave të pështymës, e cila është rruga kryesore e transmetimit të koronavirusit, dhe disa studime kanë arritur në përfundimin që mbajtja e një maske të siguron një mbrojtje afërsisht pesë-fish më të lartë ndaj virusit sesa po të mos mbash maskë.

Nëse ndodh që të jeni në kontakt të afërt me dikë të infektuar, maska zvogëlon mundësinë e kalimit të sëmundjes. Nëse thjesht po ecni nëpër qytet dhe nuk jeni në kontakt të afërt me të tjerët, veshja e maskës nuk ka gjasa të bëjë ndonjë ndryshim të madh.

Pretendimi: “Koronavirusi vret vetëm të moshuarit, kështu që të rinjtë mund të rrinë të qetë”

Shumica e njerëzve që nuk janë të moshuar dhe nuk kanë problem të tjera të rënda shëndetësore nuk do të sëmuren rëndë nga Covid-19.

Por sëmundja ka më shumë shanse për të shkaktuar probleme të rënda të frymëmarrjes sesa gripi sezonal dhe ka edhe grupime të tjera njerëzit në rrezik – për shembull, punonjësit e shëndetësisë janë më të prekshëm sepse ka të ngjarë të kenë ekspozim më të lartë ndaj virusit.

Veprimet e masat që do të ndjekin të rinjtë e prekur, përfshirë raportimin e saktë të simptomave që kanë dhe ndjekjen e udhëzimeve të karantinës, do të kenë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e grupeve më të prekur në shoqëri dhe në formimin e trajektores së përgjithshme të shpërthimit.

Pretendimi: “Duhet të rrish me një person të infektuar për 10 minuta që të infektohesh edhe ti”

Për gripin, disa udhëzime spitalore përcaktojnë se nëse je të paktën 6 hapa pranë një personi me grip që teshtit ose kollitet për 10 minuta ose më gjatë, me shumë gjasa gripi do t’ju ngjitet dhe juve.

Për koronavirusin deri më tani nuk ka një përcaktim të tillë. Me shumë gjasa është e mundur që të infektoheni  edhe me ndërveprime më të shkurtra në kohë apo edhe me marrjen e virusit nga sipërfaqet e kontaminura, megjithëse deri tani mendohet se kjo është një rrugë më pak e zakonshme e transmetimit.

Pretendimi: “Vaksina kundër koronavirusit mund të jetë e gatshme brenda disa muajve”

Me shpërthimin e koronavirusit, shkencëtarët nisën menjëherë punën për zhvillimin e një vaksine, të ndihmuar dhe nga informacioni i menjëhershëm gjenetik për sëmundjen që shkenctarët kinezë lëshuan.

Deri në momentin që flasim, disa ekipe të ndryshme dhe të pavarura nga njëri-tjetri po punojnë për një vaksinë dhe po bëjnë testime tek kafshët.

Gjithsesi kryerja e të gjithë testimeve të nevojshme përpara se një vaksinë të dalë në treg do të dojë kohën e saj.

Nxjerrja për përdorim e një vaksine kundër koronavirusit brenda vitit 2020 do të quhej e shpejtë, në gjuhën e mjekësisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>