Pas humbjes 4-1 në Stade de France të Parisit, përfaqësuesja e Shqipërisë iu rikthye rezultateve pozitive duke mundur 4-2 Islandën në Elbasan.
Por çfarë ndryshoi prej trajnerit Edoardo Reja?
Si fillim përballë nuk ishte Franca kampione e botës, por Islanda shumë larg formës së dikurshme. Nuk luhej në Stade de France, por në Elbasan Arena.
Rivali më i dobët dhe mbështetja e tifozerisë qenë elementë të rëndësishëm për situatën nga ku vinte Shqipëria.
Pas gabimit me aktivizimin në Francë të Roshit me detyra mbrojtëse – për të cilat nuk ka aftësi – Reja e nisi sfidën me të njëjtën skemë 3-4-1-2, por me 6 ndryshime:
- me Lenjanin në vend të Roshit në krah të majtë.
- me Dermakun në vend të Mavrajt në qendër të mbrojtjes.
- me Memushajn dhe Gjasulën në vend të Ramadanit dhe Abrashit në mesfushë.
- me Manajn dhe Çikalleshin në vend të Uzunit dhe Balajt.
Fillimi i pjesës së parë tregoi se Islanda linte hapësira dhe nuk ishte e kthjellët në vendosje. Kjo i dha Shqipërisë më tepër besim, përqendrim, sidomos në pasime, organizimin e lojës ofensive dhe synimin e portës kundërshtare.
Goli i Kastriot Dermakut (min 32’) hoqi mjaft peshë nga skuadra dhe liroi shumë grupin.
Sidoqoftë në mbrojtje u shfaqën të njëjtat problematika, ku Ismajli dhe Gjimshiti shpesh nuk koordinoheshin mire me njëri-tjetrin dhe kjo i dha mundësi Sigurdssonit ta ndëshkoi skuadrën dy herë (min 47’; min 58’).
Treguesi i përqendrimit më të mirë dhe harmonisë më të gjallë në grup ishte goli i Elseid Hysajt (min 52’), i cili shënoi pasi u shërbye me thembër nga Rei Manaj.
Kur rezultati ishte 2-2, zëvendësimet e Rejas dhanë efekt dhe Roshi (min 78’) dhe Çikalleshi (min 83’) mbyllën sfidën 4-2.
Çfarë domethënie ka kjo fitore?
Kjo fitore zgjon optimizmin dhe e lidh më tepër skuadrën në synimin për të riformuar grupin.
Për Kastriot Dermakun dhe Elseid Hysajn ishin golat e parë me fanellën e përfaqësueses.
Për Hysajn goli erdhi duke patur shiritin e kapitenit, çka ishte edhe më domethënëse për të, duke qenë se me Napolin e Carlo Ancelottit është ndjerë i lënë menjëanë si zgjedhje e dytë.
Për Roshin goli e zhbllokoi nga ndjesia e fajit që pati pas humbjes 4-1 me Francën.
Shqipëria tashmë ka 9 pikë dhe një golavarazh pozitiv (10:9). Renditet në vend të 4 të Grupit H pas Turqisë (15 pikë); Francës (15 pikë) dhe Islandës (12 pikë).
Ndeshjet e radhës luhen jashtë më 11 dhe 14 tetor kundër Turqisë – që do të jetë pa lojtarin kryesor Cengis Under – dhe Moldavisë. Synimi është që të arrihet rezultat pozitiv me shpresën që në nëntor në dy ndeshjet që luhen në Shqipëri ndaj Andorës dhe Francës skuadra të ketë më pak presione.